13 vite VETËVENDOSJE!


E mërkurë, 13 Qershor 2018

Autor: Albin KURTI

Sot, VETËVENDOSJE!-a e ka ditëlindjen, sot çlirimi i Kosovës e ka ditëlindjen, sot vajza e vogël dhe shkrimtarja e madhe, Anne Frank, që nuk e mbijetoi okupimin nazist sikur ditari i saj i famshëm, po ashtu e ka ditëlindjen, por sot edhe Saranda e ka ditëlindjen – Saranda Bogujevci e ka ditëlindjen, një shqiptare kjo e shumëvuajtuar që aq shumë përfaqëson në Kuvendin e Republikës njerëzit e shumëvuajtur të vendit tonë.

13 vite më parë, kur e nisëm Lëvizjen, ishim shumë pak. Edhe ata që ishim, vinim nga përvoja të llojllojshme, kishim botëkuptime të ndryshme, e ide jo doemos të njëjta. Por rruga në të cilën po futej Kosova, rruga e shkeljes së interesave të popullit, rruga e shitjes së vendit, prej pushtetarëve që donin veçse pushtetin e vet, na e bëri domosdoshmëri angazhimin tonë politik.

Ishte e qartë që në fillim, se ne nuk do të mund t’i ndalnim të këqijat që i kanoseshin Kosovës, pa bashkëpunuar me njëri-tjetrin edhe pse kishim dallime në ide e në formim, në prejardhje e në mënyrë jetese. Andaj mund të themi se, që prej fillimit, Lëvizja jonë u themelua si një subjekt i hapur për larminë e mendimeve e të qasjeve, dhe kurrë një entitet homogjenizues. Entitetet homogjenizuese i kishim përballë: partitë, korporatat dhe udhëheqësit e opinionit publik. Ata na thoshin, i thoshin gjithë shoqërisë, se “e vetmja mënyrë për të pasur sukses në politikë apo në çdo fushë tjetër është kompromisi e koncesionet, konformizmi e oportunizmi, pazari me bindjet e tua”.

Por, për ne, atëherë, si edhe tani, të menduarit për “rrugën e vetme”, “për rrugën e tyre të vetme” është e papranueshme. Ne nuk mendojmë në terma të tillë, sepse këto e mbysin mendimin. Në vend se të kemi të drejta të ndryshme dhe trysni për mendim të njëjtë, duhet të kemi të drejta edhe të barabarta edhe për mendime të ndryshme. Politika, ashtu si shkenca apo si arti, që të jetë në hap me kohën e që t’i shërbejë interesit të publikut, duhet të jetë një laborator ku hulumtimi nuk përfundon kurrë, e njëkohësisht një fabrikë, ku punohet me tre ndërrime për të prodhuar sa më shumë. Edhe në laborator, edhe në fabrikë, duhet vazhdimisht të integrosh ide të reja, të mos përsërisësh ato ide e praktika që nuk janë produktive, të jesh vazhdimisht vetëkritik e i hapur për të ndryshuar. Prandaj, kurrë nuk kemi qenë arrogantë e nuk kemi folur për rrugë të vetme sikurse që bënte regjimi dhe njerëzit e tij.

Gjatë këtyre 13 viteve shumë gjëra të këqija i kanë ndodhur Kosovës por edhe shumë të tjera janë parandaluar, janë ngadalësuar apo janë zvogëluar.

Privatizimi ka përparuar, i shoqëruar me korrupsionin tipik për këtë fenomen. Gjithnjë e më pak prodhim, gjithnjë e më pak vende pune, gjithnjë e më shumë miliona për zhvatësit që kontrollojnë qeverinë dhe korporatat në Kosovë.

Pavarësia, e cila mori një formë jo-demokratike duke u shpallur pa referendum, erdhi duke u kufizuar gjithnjë e më shumë, pasi politikanët e korruptuar e të shantazhuar kanë vënë në pazar shumë elemente të sovranitetit, që nga përfaqësimi ndërkombëtar me fusnotë, e deri tek shtrimi i premisave për bosnjëzim të Kosovës, më herët përmes decentralizimit etnik dhe tash nëpërmjet ‘Zajednicës’ së Serbisë. Një Kalingrad rus është instaluar në Ballkan, në Banja Llukë. Kurrsesi nuk duhet lejuar Kalingradi i dytë në veriun e Mitrovicës.

Jemi përpjekur të ndalim degjenerimin e arsimit, shëndetësisë, pensioneve, mjedisit, kulturës. Herë me protesta e tubime vetëdijësuese, herë me votë e aktivitet parlamentar. E keqja, e cila i ka ndërruar fytyrat e pushtetarëve të korruptuar, herë të huaj e herë vendorë, ka avancuar në rrugën e saj, por as ne kurrë nuk jemi ndalur së luftuari me të.

Cinikët mund të thonë, madje sigurisht kanë thënë tashmë, se ç’vlerë ka që vazhdoni, kur nuk e keni ndalur të keqen në avancimin e saj. Nuk ia vlen t’u përgjigjesh atyre duke u vënë në dukje se shumë gjëra i kemi ndalur e ndaluar e pikërisht për këtë arsye nuk janë bërë skandale publike e nuk mbahen mend sot. Po, njëmend ka njerëz që thonë se nuk ia vlen të angazhohesh meqë ashtu-kështu nuk po ndryshon gjë, mirëpo rruga e sigurtë e mosndryshimit është pikërisht ajo e mosangazhimit. Vazhdimësia vjen nga pasiviteti. Ndryshimi vjen nga aktiviteti. Aktiviteti e ndryshon edhe vetë njeriun që duke u bërë aktivist ndryshon realitetin. Mbi të gjitha, ne iu përgjigjemi cinikëve duke iu thënë shkurt: në këto 13 vite ne e kemi prodhuar së bashku një të mirë të madhe. E kemi prodhuar më në fund një subjekt i cili nuk është më grupi i vogël i mbledhur në 2005-tën, por është një organizatë e gjerë, me struktura gjithnjë e më të konsoliduara nëpër komuna, e që ka fituar besimin dhe dashurinë e popullit. Një organizatë e shumicës, e cila shumë shpejt do të jetë në qeverisje, si qeverisje e shumicës.

Historia nuk e njeh kthimin pas, dhe ne nuk do të mund t’i zhbëjmë jo pak nga të këqijat që dikur jemi përpjekur t’i ndalim. Por, çka do të bëjmë me siguri, është se ne do ta ndryshojmë rrugën. Ne nuk do ta vazhdojmë teposhtëzën. Me ne, Kosova do të fillojë ringritjen, me punë, me drejtësi, me shtet e solidaritet.

Kjo është e mirë e madhe, Lëvizja që e kemi sot është thesar, për të gjithë ne aktivistët, por edhe më gjerë se kaq, Lëvizja është thesar për të gjithë Kosovën. Jemi shpresa e punëtorit dhe e të papunit, shpresa e studentit dhe e atij që nuk ka patur mundësi të shkollohet, shpresa e fshatarit dhe e qytetarit, e të riut dhe e plakut.

Jo se jemi të përkryer ne, dhe pa gabime, por se jemi të vetmit që me gabimet tona ballafaqohemi në organizatë, përmes kritikës dhe transparencës, për t’i përmirësuar ato. Jemi subjekt demokratik, që mban zgjedhje të lira e të ndershme, ku anëtarët ushtrojnë të drejtat e tyre të zgjedhin dhe të zgjidhen, e ku udhëheqja nuk caktohet nga të huajt apo prej jashtë. Jemi Lëvizje e vendosur për demokraci. Sepse jemi Lëvizje demokratike për vetëvendosje. Pa përparësi dhe pa padrejtësi, pa privilegje dhe pa diskriminim. Kjo është demokracia e brendshme e Lëvizjes sot dhe qeverisja e VETËVENDOSJE!-s nesër.

Për të arritur deri këtu na është dashur shumë sakrificë. Nuk mund të mos përmendet sakrifica sublime e Arbenit dhe e Monit, e Astritit dhe e Arbnorit. Ata janë busulla jonë morale dhe politike. Disa qindra aktivistë janë arrestuar, dhjetëra janë arrestuar disa herë e disa janë arrestuar dhjetëra herë.

Na është dashur shumë punë, shumë sacrifice, shumë punë vullnetare e vajzave dhe djemve, e shumë studentëve por edhe e qytetarëve të tjerë. Madje shpesh me vullnet të mirë, na ndihmojnë edhe pensionistët.

Është dashur po ashtu shumë lexim, nxjerrje argumentesh e faktesh, diskutime, tryeza, konferenca e seminare ku politika takohet me dijen. Kjo ka qenë mënyra për të fituar debatet, qofshin ato debate në media, qofshin debate në komunitet, siç bën çdo aktiviste e aktivist përditë, në vendin ku jeton e ku punon.

Përmes punës e dijes, ne i kemi dhënë kuptim jetëve tona. Nuk kemi lejuar të na marrë me vete rryma e nihilizmit dhe cinizmit mbizotërues. Jemi bërë subjekt, e kemi bërë njëri-tjetrin subjekt. Subjekt të Lëvizjes. Prandaj nuk ka fuqi që na ndalë, sepse ne jemi fuqia e lëvizjes.

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! është forca e vetme socialdemokrate dhe kombëtare në Kosovë. Sigurisht ka të tjerë që e përdorin këtë emërtim. Por ata që shesin territorin dhe sovranitetin e vendit nuk mund të jenë kombëtarë, e ata që vjedhin tenderë e punësojnë njerëz në këmbim të votave, nuk mund të jenë socialdemokratë.

Qeveritarët kosovarë mendojnë lokalisht dhe nuk veprojnë kombtarisht. Qeveria nuk i sheh njerëzit në Kosovë si qytetarë por si problem të cilin e zgjidh liberalizimi i vizave. Prandaj kjo qeveri s’mund të jetë zgjidhje por është vet ajo problem për shtetin e popullin tonë.

Me programin tonë për prodhim e zhvillim, që do ta ringjallë industrinë dhe bujqësinë përmes fondit sovran e bankës zhvillimore, ne sot ofrojmë zgjidhje konkrete për daljen e Kosovës nga varfëria.

Në Kosovë nuk ka sundim të ligjit por sundimtarë të ligjit të cilët nganjëherë sundojnë përmes ligjit e nganjëherë përkundër ligjit por assesi ta lënë ligjin që të sundojë. Në Kosovë ka pak fuqi ligji, sepse ka aq shumë fuqi mbi ligjin. Me transparencën dhe kredibilitetin tonë moral, me programin tonë për shtetin e së drejtës, ne jemi të vetmit që mund të bëjmë luftë kundër korrupsionit të lartë, krimit të organizuar dhe mafias politike. Ta bëjmë Kosovën republikë për të gjithë e jo për disa, Kosovën shtet ku jetohet me dinjitet.

Me insistimin tonë kombëtar dhe me dijen e shumë profesionistëve dhe ekspertëve, ne jemi ata që do ta bëjmë njëmend Kosovën me ushtri. E me diplomacinë tonë, ne do t’ia shtrojmë udhën bashkimit kombëtar, si vendim demokratik që do të merret me referendum.

Neve mbase po na vonojnë ca, por ne gjithsesi do të fitojmë. Ata, veç vonim se shpëtim nuk kanë. Në zgjedhjet e ardhshme ne dalim partia e parë. I ftojmë të gjithë njerëzit e ndershëm e të ditur të këtij vendi, u bëjmë thirrje qytetarëve dhe fshatarëve, grave e vajzave e burrave e djemve që të na bashkohen në Lëvizje e të anëtarësohen në VETËVENDOSJE!.

Të nderuar të pranishëm, sot, është mirë të shohim pas në historinë tonë, dhe të gëzohemi që e kemi Lëvizjen, që Lëvizja është pranë popullit, dhe që populli e do Lëvizjen. Le ta duam njëri-tjetrin sepse e duam popullin, nga i cili edhe vijmë përherë edhe nuk shkëputemi asnjëherë.

Urime ditëlindjen e Lëvizjes. Urime 13 vjetorin e VETËVENDOSJE!-s. Ju dëshiroj gëzime shumë e fitore plot, për jetë e mot.

Ju faleminderit e tash shpresoj t’ia kaloni sa më bukur në këtë koktej rasti që kemi përgatitur me prodhime nga ndërmarrësit vendas të cilët na i kanë dhënë falas ato. Faleminderit e mirë u pafshim në aktivitete e tubime tjera.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:

Leave a Reply

Të fundit