Shembull i edukatës së lartë: Nxënësi nga Shtimja gjen 180 euro, i dorëzon në polici


E mërkurë, 22 Prill 2026
Shembull i edukatës së lartë: Nxënësi nga Shtimja gjen 180 euro, i dorëzon në polici

Një gjest ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare është shënuar të mërkurën në Shtime, ku një nxënës 15-vjeçar ka zgjedhur të veprojë me integritet, duke dorëzuar në polici një shumë parash që kishte gjetur rastësisht.

Në njoftimin e policisë thuhet se i mituri me inicialet N.SH., teksa po kalonte në rrugën “Tahir Sinani”, ka gjetur një shumë prej 180 eurosh.

“Pa hezitim, ai është drejtuar në stacionin policor në Shtime për t’i dorëzuar paratë e gjetura, duke treguar integritet dhe vetëdije të lartë qytetare. Pas veprimeve të shpejta nga zyrtarët policorë, është bërë i mundur identifikimi i pronares së parave, qytetares F.H. nga Shtimja. Në prani të policisë, shuma e plotë i është kthyer asaj”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Pronarja, sipas Policisë, ka shprehur mirënjohjen e saj për gjestin e nxënësit, ndërsa Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka vlerësuar këtë veprim si shembullor.

“Ky rast nxjerr në pah rëndësinë e edukatës familjare dhe besimit në institucione, duke dëshmuar se veprimet e ndershme vazhdojnë të jenë një vlerë e çmuar në shoqëri”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Klankosova.tv


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit