E mërkurë, 22 Prill 2026

“Shqiptarët janë të suksesshëm si individë, si të bëhen dy shqiptarë bashkë, dështojnë!” – fjalë popullore.
Historia e shqiptarëve është e mbushur me suksese individuale të personaliteteve të ndryshme nga arti, kultura, muzika, filmi, sporti, arsimi, media, organizata, ndërmarrësia e shkenca. Profesionistë që janë bërë emra të spikatur, autoritete në fushat që përfaqësojnë, sinonime të markave, produkteve apo shërbimeve të veçanta, duke shkëlqyer me famë, tituj, pozita, statuse, trofe, medalje, çmime e prestigje. Dhe rezultatet e tyre nuk janë improvizime, ato janë reale.
Por pse kemi më pak storje suksesi të grupeve, organizatave, klubeve, komuniteteve, ndërmarrjeve, partive e institucioneve të ndryshme?
Pse te shqiptarët kur bashkohen forcat, përçahen të fortit?
A mund t’i numëroni dhjetë organizata elitare, dhjetë shkolla elitare, dhjetë media elitare, dhjetë klube elitare, dhjetë kompani elitare, dhjetë akademi shkencore elitare, dhjetë akademi filmi elitare, që sot njihen në botë në mesin e shqiptarëve?
Individë të suksesshëm numërojmë pafund! Individë të lavdëruar gjejmë pafund! Në fakt, ne s’kemi as elitë, ata janë të shkapërderdhur.
Ne kemi shumë sportistë shqiptarë të njohur botërisht, por ma gjeni një klub sportiv që është konkurrent me klubet më të forta në botë?
Ne kemi mjekë shumë të shquar në botë, por ma gjeni një klinikë ose spital konkurrent me klinikat ose spitalet më të forta në botë?
Ne kemi profesorë shumë të zotë në fushat e tyre, por ma gjeni një shkollë ose universitet konkurrent me shkollat ose universitetet elitare në botë?
Ne kemi aktorë, skenaristë e regjisorë në klasit të lartë, por ma gjeni një akademi filmi konkurrente me shkollat filmike më të mëdha në botë?
Ne kemi këngëtarë, shkrimtarë, dijetarë, poliglotë, humanistë, shpikës, zbulues, prodhues, deri edhe nobelistë, në mënyrë individuale mjaft të njohur. Por si shoqëri, me pak përjashtime, kemi përjetuar një “mutacion kulturor” i cili na pengon që këto forca t’i shndërrojmë në institucione dhe të funksionojmë në mënyrë ekipore. Ky mutacion ka shpërthyer si reaksion i injorancës së thellë. Sot shoqëria jonë funksionon si në kontekstin e evolucionit “mbijetesa e më të fortit”. Dhe nuk pritet të gjendet një “formë kalimtare” apo “hallkë” e cila na shpie tek “mbijetesa e më të mirëve”.
Sepse edhe kur ka grupe të suksesshme, a e keni vërejtur që gjithçka sillet rreth një lideri a kryetari i cili gjithmonë e merr fjalën si përfaqësues i grupit ose institucionit, i cili pa bashkëpunëtorët përreth që mbeten gjithmonë nën hije dhe prapa perdeve, ai s’do të ishte aty ku është, as s’do t’i merrte ato lavde që i ka marrë.
Jemi pjesë e një shoqërie që i izolon njerëzit intelektualë, njerëzit me vlera të pathyeshme, njerëzit e pavarur nga politika dhe ideologjitë e kohës. Kjo shoqëri vë bast që secili intelektual duhet patjetër t’ia mbajë anën një partie, një ideologjie, një grupi të interesit apo një lideri politik. Kjo shoqëri patjetër ia vë një “bisht” secilit njeri që mendon e shkruan vetëm me kokën e tij, mendon e flet vetëm me kokën e tij. Sepse nuk është mësuar që të shoh një mendimtar të pavarur që gjykon objektivisht, siç jam unë, që kur shkruaj e mendoj vetëm të vërtetën që e zbuloj, studioj apo besoj. Aq më bën çfarë thonë turmat, ato i lë të vallëzojnë në psikologjinë histerike. Aq më bën çfarë thonë autoritetet e kohës, ato i lë duke i shpërblyer demagogët e kohës.
Ku fillon problemi? Një fëmijë që rritet duke besuar se të gjitha gjërat i takojnë atij, se ai ka të drejta apo privilegje më shumë se fëmija tjetër në familje, se ai nuk ka nevojë t’i kërkojë ndihmë vëllait apo ta falenderojë motrën, duke mendu se kur fiton diçka, vetëm ai duhet ta disponojë atë apo kur humb apo dështon diçka, ai nuk duhet ta marrë përgjegjësi, në këtë mentalitet ka shumë gjasa që kur të rritet ai fëmijë të mos funksionojë si qenie sociale dhe si njeri bashkëpunues. Sepse ai e njeh vetëm vetën e parë “Unë”, ai beson se është epiqendra e familjes, epiqendra e lagjes, epiqendra e shkollës dhe komunitetit!
Në një sistem të brishtë edukimi publik, me një mësimdhënie klasike që nxjerr rezultate vetëm nga angazhimi individual i nxënësit dhe jo nga puna e tij ekipore e bashkëpunuese me nxënësit e tjerë, ushqehet ideja që vetëm si individ garantohet suksesi, prandaj shumë fëmijë u urrejnë konkurrencën, bashkëpunimin e socializimin.
Si mund ta analizojmë gjendjen sot duke e anashkaluar historinë 2000 vjeçare të sundimeve të huaja mbi shqiptarët? Tendenca për t’i përvetësuar meritat e të tjerëve nuk është karakteristikë e shoqërisë tonë shqiptare moderne. Këtë formë të egoizmit e primitivizmit e kemi pasur që nga kohët e vjetra. Sot si duket po trashëgojmë mentalitetin dhe sjelljen e bashkësive tribale fisnore, ku dominon prijësi apo bajraktari, i cili jo rrallë herë qëllon të jetë kapadai. Edhe pse përdorim inteligjencë artificiale, shfrytëzojmë teknologjitë e kohës, shëtitim botën dhe kalojmë kah gjurmët e qytetërimeve, mentaliteti ynë vazhdon të jetë fisnor në disa dimensione. Dhe ky lider kapadai, jo rrallë herë është bërë vasal i të huajve, servil e lojal deri në palcë. Kemi një histori të mercenarizmit, jo pak mercenarë shqiptarë në histori.
Pra, ne nuk mjaftohemi me izolimin e njerëzve të zotë, por ata i ekspozojmë ndaj xhelozisë dhe smirës, akuzës dhe shpifjeve, degradimeve dhe linçimeve, që thellë thellë buron në urrejtjen tonë patologjike. Ne bëjmë komplote, inskenime, infiltrime, që ta komprometojmë një autoritet që ne s’e duam, që t’ia shkatërrojmë kredon morale dhe t’ia zhveshim talentin. Në të kundërtën, e nënshtrojmë ndaj vetes.
Sa e sa eruditë në mendje, por me mungesë të guximit intelektual dhe urtësisë, janë shndërruar në shërbëtorë të regjimeve, autoriteteve, pushteteve apo industrive të caktuara. Sepse nuk u mjaftoi vetëm dija që fituan. Prandaj njerëzit që duan të bëhen intelektualë apo dijetarë, duhet paraprakisht ta përgatitin veten për një gjë, që shoqëria së cilës ata do t’i shërbejnë asnjëherë s’do të jetë mirënjohëse ndaj tyre. Nëse me këtë fakt nuk pajtohen, dëshira për mirënjohje do t’i shuajë shumë shpejt shpirtërisht. Do të vuajnë dhimbje të madhe e do të bien në depresion.
Deri në ekstremin kur një intelektual, qoftë ai profesor unviersiteti a mësimdhënës shkolle, hoxhë apo prift, shkrimtar apo studiues, shkencëtar apo novator, i thur elozhe lideri të tij politik, e trajton si lider shpirtëror, ia arsyeton gabimet dhe ia bën argatin, në vend se ta kritikojë e gjykojë ftohtë e drejt. Ky është paradoks, kur një intelektual çirret dhe ekzaltohet para një lideri politik, duke u bërë militant i tij i rryer. Kështu i thoja një mësimdhënësi një ditë, se “ti je më politik e më partiak se vetë lideri yt i partisë”. Ai qeshi e më tha: “Jo bre s’është ashtu, por s’po shoh gabime te ai, prandaj i ndihmoj”! Po pra, nga shpëlarja e trurit dhe nga propaganda e mveshur me parajsën e iluzioneve, vërtet nuk shihen gabimet e liderëve politikë.
Kur dikush mendon me mentalitetin e individit të gllabëruar nga egoizmi dhe vetëkënaqësia, ai nuk e ndjen nevojën asnjëherë për ta falenderuar dikë, për ta nderuar dikë, për t’i kërkuar ndihmë ose këshilla dikujt, për ta mbivendosur dikë para vetes, për t’i dhënë përparësi dikujt, për ta duartrokitur dikë, për t’ia njohur meritat, për t’ia lavdëruar suksesin e për ta shpërblyer me ndonjë formë.
Askujt s’i thotë urime, puna e mbarë, je mjeshtër i jashtëzakonshëm, nuk ka si ti, ta jap dorën për këtë punë etj! Sepse lideri i vetëkënaqur mendon se këto veprime e ulin autoritetin e tij, vlerat e tij, rrezatimin e tij dhe se “shkëlqesia” e tij nuk i detyrohet askujt sepse të gjitha arritjet i ka falë shkathtësive që zotëron. Egoistët asnjëherë nuk falenderojnë. Ata e urrejnë shprehjen e falenderimit për të tjerët, ndërsa shkrihen kur pranojnë falenderime prej tyre.
Personalitetet e tilla as ndaj Zotit nuk janë mirënjohës. As ndaj familjes, as ndaj miqve. Vetëm ndaj vetvetes. Kur dikush mendon që ka obligime vetëm ndaj vetes, ai ka bërë vetëvrasje! Sepse vetëvrasja nuk është vetëm varja me litar në tavanin e shtëpisë. Vetëvrasja më e rrezikshme është tryeza e pangopësisë ku njeriu e hanë vetveten, kur njeriu bie në dashuri me vetveten.
Në një takim pune, të gjithë sytë dhe vëmendja duhet të jenë kah ai i cili pret t’i magjeps ose hipnotizojë, i cili pret t’ua shtojë dozën e inferioritetit kolegëve të tij. Ai dominon aty me fjalim, me gjuhën e trupit, me epiqendrën fizike, me energjinë që përçon, me karizmën që reflekton, me autoritetin që mbizotëron. Edhe kur brenda një ekipi ka shumë drejtorë ose menaxherë, në një klimë të tillë tentohet që njëri gjithmonë të jetë aktor, ndërsa të tjerët spektatorë. Janë të prirë që t’i zbulojnë gabimet, që të akuzojnë, por asnjëherë gabimin e vet ta pranojnë.
Individët e tillë kur bëhen liderë, ndërmarrës, menaxherë e drejtues, i tundon paranoja se mos dikush tjetër në ekipin e tij di diçka më shumë se ai dhe se mos po arrin t’ia sfidojë pozitën, t’ia zë vendin, t’ia dridhë themelet e t’ia marrë kompetencat. Lideri paranojak e mbytë konkurrencën që në fillim sepse atë e sheh si konflikt dhe kërcënim, jo si zhvillim.
Kam njohur, takuar e bashkëpunuar me njerëz të tillë, liderë me prirje egoiste, kronikisht me sëmundjen e vetëkënaqësisë dhe vetëlavdërimit, që gjithnjë flasin në superlativ dhe me doza të larta të kompleksit të superioritetit dhe megalomanisë. Sot ata janë të izoluar nga profesionistët, nga bashkëpunëtorët më të ngushtë e më të mirë që dikur kishin. Mbetën vetëm me disa amatorë sepse treguan mendjemadhësi, një cilësi që s’ia tolerojë askujt, as sa atomi.
Më besoni se janë të gërditshëm. Janë llumi i lidershipit. Ata shkatërrojnë ekipe, institucione, organizata, për ta ushqyer egon e tyre. Ata aq shumë dashurohen në vetveten, aq shumë obsesionohen me pozitën e tyre, aq shumë kanë bindje absolutiste mbi veten, aq shumë i japin vlera, imunitet e merita vetës, saqë janë në gjendje me çdo bashkëpunëtor të prishen, çdo aleancë ta shkatërrojnë, çdo partneritet ta cenojnë, çdo profesionist ta përbuzin e çdo sukses vetes t’ia atribuojnë. Një galaktikë e pabalancuar në kozmosin e pafund të idiotësisë.
Në një projekt të rëndësisë së lartë shtetërore në të cilin merrja pjesë në grupin e koordinatorëve, në prill të vitit 2025, ku Kosova ishte nikoqire e 55 shteteve të botës, ishin vetëm dy ditë sfiduese, ditët e garave ndërkombëtare. Por në ditën e parë menaxheri kryesor që e dinte në detaje se si shkon procesi dhe për të cilin kishte përgjegjësi, qëllimisht mungoi, duke lënë ekipin e tij të bëjnë gabime serioze për të marrë ankesa serioze, jo të qëllimshme por në mungesë të dijes, që më pas në ditën e dytë të vijë vetë si lider karizmatik “me shkopin magjik”, me idenë se grupi ka dështuar por vetëm ai mund të rregullojë çdo gjë. Sepse lideri nuk donte shpërndarje të meritave dhe sukseseve grupore. Ai dhe vetëm ai. 55 shtete nën fatin dhe varësinë e dijes ekskluzive të tij. Dhe ashtu ndodhi, dita e dytë e udhëhequr drejtpërdrejtë prej tij shkoi në mënyrë të mrekullueshme, por edhe e para do të mund të shkonte po të mos vuante lideri nga ky sindrom.
Për këtë sindrom Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH nuk ka asnjë përgjigje. Atë e kualifikon vetëm sociologjia. Në autopsinë time sociologjike ai e ushqeu vetëkënaqësinë e tij dhe ia arriti qëllimit sepse përshtypja mbresëlënëse e ditës së dytë e përpiu përshtypjen e zymtë të ditës së parë. Ndërsa ne u trajtuam si një kope e deleve që pa një bari si ai, humbëm në pyje. Por pa ne ai prapë do të dështonte ose do të arrnohej disi, nëse ne do t’ia braktisnim projektin në shenjë proteste pas nënçmimit që na bëri në mesnatën e mes dy ditëve të garave ku ne grupi i koordinatorëve qëndruam pa asnjë orë gjumë duke përgatitur procesin tashmë në “binarët e dijetarit”.
Kur takohen dy njerëz të ditur, me përvojë, të dëshmuar dhe me kapacitete serioze, por me një ego të lartë ose të padisiplinuar, rrezikojnë të përfundojnë në kundërshtarë ose armiq. Dhe për pasojë të shkatërrojnë apo të dëmtojnë atë që dikur e kanë ngritur bashkë.
A e keni vërejtur një fenomen kur disa persona që punojnë në një grup, klub, organizatë, parti, medium, shkollë a biznes, pas pak kohësh ndahen mes vete sepse secili i bëhet konkurrent tjetrit, secili vendos ta hap organizatën, klubin, mediumin, partinë, shkollën apo biznesin e vet? Shpesh kjo bëhet edhe nga inati dhe xhelozia duke e sulmuar njëri-tjetrin më pas.
Por xhelozia nuk vjen vetëm nga niveli i kokës, nga rivaliteti profesional. Nganjëherë në një kompani angazhohet një palë e tretë, një person i infiltruar, që mund të punojë brenda por prapa shpinës, duke nxitur keqkuptime, paragjykime, konflikte, duke përgojuar, mes drejtuesve të një institucioni, me të vetmin qëllim që t’i përçajë.
Në anën tjetër, ka plot personalitete që punojnë në një institucion, lavdërojnë publikisht kolegun apo udhëheqësin e tyre, shfaqin respekt sipërfaqësor në formë servilizmi e hipokrizie, por në thelb ata punojnë kundër tyre. Lavdërojnë para syve, shajnë pas shpine! Duartrokasin para syve, mobilizojnë armiq pas shpine!
Në të gjitha përvojat e mija profesionale që kam pasur, me liderë egoistë nuk jam ndarë mirë. Sharra ime ka hasur gjithmonë në gozhdën e tyre. Sepse ata kudo luajnë rolin e gozhdës që pengon. Sot nuk bashkëpunoj me shumë prej tyre. I kam lënë në “mbretërinë” e tyre, në dileriumin e tyre, nën morfinën e tyre. Nuk pranoj të jem piuni i shahut të tyre.
Ata vazhdojnë ta improvizojnë rolin apo pozitën time, ndërsa unë jam orientuar në drejtimin e produkteve dhe shërbimeve të mia, ku me Fondacionin VILDANA u shërbej studentëve të talentuar shqiptarë me bursa akademike, ndërsa me Mediumin EPIQENDRA u shërbej lexuesve të mi të respektuar. Pa një grup të bashkëpunëtorëve e mbështetësve, as këto dy marka nuk do të ekzistonin. U jam thellësisht mirënjohës atyre që besuan se unë jam i përshtatshëm për fondacionin dhe mediumin.
As unë e ti s’do të ekzistonim po të mos ishte dashuria e grupit familje, prindërve tanë. Madje botanika na mëson se Zoti edhe bimët i ka krijuar në çifte dhe të gjitha çiftet i ka bërë komplementare. Gabim shprehen ata që thonë se nata është e kundërta e ditës apo anasjelltas. Ato nuk janë kontradiktore, nata dhe dita e plotësojnë njëra-tjetrën.
Po asnjë shpikje apo zbulim shkencor në botë nuk është bërë, nuk është patentuar dhe nuk i ka shërbyer njerëzimit nga vetëm një njeri. Gjithmonë shkencëtari ka pasur dikë afër vetes edhe pse ne nuk e dimë kush janë ata.
Abuzimi më i madh që bëhet sot është me pozitën “shef”. Një shef i dobët në cilësi, i keq në disiplinë, i poshtër në moral, paragjykues dhe racist, i padrejtë në relacione, jo kreativ në punë, improvizues në rezultate, që kalkulon gjithçka me fitim neto për veten e tij dhe privilegje për klientelën e tij, e rrënon kompaktësinë e kompanisë, organizatës apo institucionit që drejton.
Duke humbur punëtorët e denjë, ai në fakt i humb resurset profesionale e njerëzore që nuk kompenzohen lehtë. E kur mbetet i vetëm, fillon t’i kryejë të gjitha punët nga pak e asnjërën si duhet, që nga pastrimi i mjedisit, furnizimi me mjete, mirëmbajtja teknike e deri te detyrimet financiare, administrative e menaxheriale. Sepse nuk e njohin dhe nuk duan ta respektojnë konceptin e hierarkisë, shpërndarjes së roleve. Kur ia jep dikujt një pozitë, nuk ia beson plotësisht, duke lënë arsye për ndërhyrjen e tij. Klientelizmi është “qeliza malinje” që po përhapet si metastazë ekonomike.
Në dimensionin kolektiv shoqëria shqiptare ka përçarje të madhe dhe polarizim ekstrem. Në mungesë të inteligjencës sociale dhe emocionale, xhelozia sot ka arritur kulmin. Fenomen për të cilin nuk flet askush, ndërsa preken të gjithë. Kjo xhelozi brenda grupeve është gangrenë e rrezikshme, e padukshme e tinëzare shpeshherë. Është si fusha elektromagnetike, veçse xhelozia shkakton valë djallëzore dhe shkatërruese. Smira vret më tinëzisht se snajperi.
Kush nuk xhelozon? Sociologjia na mëson se njerëzit e përmbushur nuk xhelozojnë, njerëzit që kanë paqe me veten nuk xhelozojnë, njerëzit që kanë shumë potencial dhe energji për punë nuk xhelozojnë, njerëzit që nuk kanë ambicie të shfrenuara dhe apetit të pakontrolluar nuk xhelozojnë, njerëzit që punojnë me pasion dhe inspirim nuk xhelozojnë, njerëzit që kanë besim në drejtësinë hyjnore të Zotit për shpërndarjen e të mirave dhe dhuntive nuk xhelozojnë. Xhelozia është ndër shkallët më të ulta të integritetit njerëzor. Mbase thuhet edhe shtytja e parë e krimit të parë në historinë e njerëzimit. Është një çrregullim për të cilin ka pak mjeshtër në botë që mund ta rregullojnë.
Xhelozi dhe mirënjohësi janë dy botë të kundërta. Xhelozi asnjëherë nuk mund të jetë i lumtur. Paraqitja e tij para njerëzve si i lumtur është një farsë. Ai nuk e shpenzon kohën e tij duke shijuar lumturinë brenda dhuntive që ia ka dhuruar Krijuesi, por e shpenzon duke xhelozuar, duke urryer, duke kundërshtuar, duke shpifur, duke propaganduar, duke injoruar të mirat e të tjerëve, duke zhvlerësuar sukseset, duke tjetërsuar autorësitë, duke vjedhur pronësitë. Edhe ai thellë thellë e di se kjo xhelozi po i shkakton turbulenca. Xhelozia është ferri dhe skëterra që e ka ndërtuar me duart e tij sepse njerëzit nuk lindin xhelozë. Xhelozi ka gjasa shumë më të mëdha që të dështojë profesionalisht. Mirënjohësit kanë më shumë jetëgjatësi në punë.
Xhelozia si një furtunë i ka përfshirë edhe ata që besojnë në vlerat më të forta të ndërtuara kundër xhelozisë: besimtarët e fesë! Besimtarë, të paktën në dukje, jo në thelb, sepse nuk e di si mundet dikush që beson në një Zot që ka shpërndarë të mira me drejtësi hyjnore, ta xhelozojë një njeri pikërisht për ato të mira?! Për mua xhelozi nuk është besimtar i vërtetë. Ai është hipokrit i vërtetë. Besimtari i gëzohet çdo dhuntie, suksesi a mirësie që e sheh tek të tjerët dhe ndihet i lumtur kur i uron ata për to.
Grupi shkatërrohet nga lakmia e tepruar; nga paragjykimet e ndërsjella; nga mos respektimi i dallimeve; nga imponimi i bindjeve personale, sidomos politike, fetare dhe kulturore; nga papërgjegjësia dhe mos mbajtja e premtimeve apo mos zbatimi i marrëveshjeve; nga devijimet e vlerave dhe principeve mbi të cilat është formuar.
Nuk është magjia apo ndonjë forcë tjetër e padukshme ajo që i prishë grupet. Thjesht sepse ne po rritemi dhe po edukohemi të paaftë për marrëveshje, të paaftë për kompromis, të paaftë për ndarjen e interesave, të paaftë për të krijuar rrjete shoqërore e profesionale sa herë që prishim ura të dobëta, të paaftë të falim apo të tolerojmë ndonjëherë, të paaftë t’i respektojmë dhe mbajmë njerëzit me vlera. Sepse ne shumë lehtë e humbim një njëri që ka 999 vlera për një dobësi që na e vranë syrin!
Për shumicën e njerëzve interesat kanë më shumë rëndësi se parimet. Por jeta që i shkelë interesat për parime është jeta më e hidhur, më e pakëndshme, më e zorshme. Ajo jetë është ndrydhje, është tejkalim i vetvetes, është hudhje e vetvetes, është shkatërrim deri në “membranë qelizore” i egos. Por ajo ta jep një gjë që s’e gjen askund në krejt këtë univers prej që ekziston: ndjenja e krenarisë së pathyeshme.
Kurrizin drejt, ballëhapur, shpirtërisht i plotë, pa më të voglën ndjenjë frike, pasigurie ose inferioriteti, duke mos i dhënë imunitet askujt, me armën e fuqishme të ndërgjegjes. Është një ngjyrë lumturie që s’e shohin të verbërit e ngufatur nga materializmi.
Ata që bëjnë të kundërtën, që shkelin parime për interesa, janë të pakurrizorë. Ata i mbrrijnë të gjitha privilegjet e botës, por janë të thyeshëm, janë të lirë që blihen e shiten me pak para. Integriteti i tyre është një rrjetë merimange, jo një fortifikatë rezistente. Nuk kam qenë asnjëherë në lëkurën e tyre, vetëm e di që sa herë kam shkelur interesat e mia për shkak të parimeve, shumica e shokëve dhe familjarëve më kanë kritikuar. Kjo më ka kushtuar shumë materialisht, por më ka furnizuar shumë shpirtërisht e psiqikisht.
Vetëbesimi më ka motivuar të prodhoj diçka vetë pa pasur nevojë për idiotët e fuqishëm, pa pasur nevojë për idiotët që të ndihmojnë me kushte, pa pasur nevojë për idiotët që ta zgjatin dorën duke ta blerë shpirtin e duke ta korruptuar ndërgjegjen, pa pasur nevojë për idiotët që të japin mjete por ta censurojnë punën, pa pasur nevojë për idiotët që të japin pozitë por interferojnë në vendimet tua, pa pasur nevojë për idiotët që të përkrahin por kërkojnë t’u përkulesh, pa pasur nevojë për idiotët që të japin stabilitet financiar por kërkojnë t’u bësh favore, pa pasur nevojë për idiotët që ta rrahin krahun por kërkojnë t’i mbyllësh sytë para të keqes dhe të shkruash sipas porosive të tyre. Jo! Lëkura ime është “shumë e trashë” dhe i reziston goditjeve të tyre. Inteligjenca ime është shumë e hollë dhe i reziston joshjeve të tyre. Kështu më edukuan njerëzit e urtë të cilët i lexoj e takoj shpesh. Kështu më edukoi babai im i cili sivjet bën 20 vite nga kalimi në botën tjetër.
Kur parimet dhe interesat ngatërrohen në një grup, kur në struktura ka njerëz që shkelin parime për interesa dhe njerëz që shkelin interesa për parime, aty mos prit përfundim të mirë. Një ditë ata do të ndahen. Mbase mund të shndërrohen në armiq që luftojnë njëri-tjetrin. Shumica e miqve të ngushtë që përfundojnë në armiq të përbetuar të njëri-tjetrit vijnë si reaksion i grupeve në të cilat dikur kanë bërë pjesë. Janë bashkuar në një grup në emrin e një ideali, por i njëjti grup i ka çuar në ekstremin e kësaj bote, në armiq të paparashikueshëm.
Në rrethana të tilla shoqërore, armiqtë tanë të vërtetë historikë, do ta kenë shumë më të lehtë të na sulmojnë sepse përçarja shqiptare është në favorin e armikut, është vrima tinëzare ku depërton armiku. Armiku nuk i do forcat shqiptare brenda një grupi. Të ndarë, brenda ishujve tanë profesionalë, mund të sulmohemi nga të katër anët.
Marrë nga epiqendra.com me lejen e autorit
Burimi: tesheshi
