E shtunë, 25 Prill 2026

Fantazma Jet Bank, kur rregullat e Bankës së Shqipërisë “avullojnë” për miqtë e qeverisë Rama
Licencimi i “Jet Bank” më 31 mars, si institucioni i parë i parasë elektronike plotësisht dixhitale në Shqipëri, është prezantuar nga narativa qeveritare si një arritje epokale e modernizimit dhe gjithëpërfshirjes financiare.
Megjithatë, pas fasadës vezulluese të inovacionit dhe teknologjisë së “përpunimit në distancë”, fshihet një realitet i frikshëm dokumentesh kontradiktore, personazhesh me histori mashtrimi dhe një strukture pronësie që duket se është projektuar posaçërisht për të fshehur identitetet e vërteta.
Rasti i Jet Bank nuk është thjesht një çështje biznesi. Ai po shfaqet si një nyje ku ndërthuren interesa ekonomike të errëta, lëvizje gjeopolitike dhe një dështim i qëllimshëm i shtetit shqiptar për të mbrojtur integritetin e sistemit tonë financiar.
Dyshimet nisin që në zanafillë, me ekzistencën e dy dokumenteve zyrtare që dëshmojnë një mashtrim të hapur ndaj institucioneve. Më 8 korrik 2025, shoqëria “Jet Albania” u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) me numër regjistrimi: M51923013I, ku pronari izraelit Idan Avishai deklaroi kapital me origjinë angleze.
Por, vetëm tetë muaj më vonë, në licencën nr. 20 të dhënë nga Banka e Shqipërisë, i njëjti subjekt paraqitet si 100 për qind me kapital holandez. Ky ”kameleonizëm” i parave nuk është një lapsus burokratik, por një alarm ulëritës për mungesën e kontrollit mbi origjinën e fondeve që po lejohen të qarkullojnë në vendin tonë.
Në zemër të kësaj strukture qëndron Idan Avishai, një emër që fijet e tij i shtrin thellë në botën e “zonave gri” dhe tregtisë valutore të palicencuar. Avishai, i cili ka shërbyer si Drejtor Marketingu në platforma lojërash të paligjshme si Play65 – e mbyllur me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të Izraelit në vitin 2006 – ka lidhje të drejtpërdrejta me platformën Fortrade (FXLider).
Kjo e fundit ishte raportuar zyrtarisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në Shqipëri që në vitin 2018 për ushtrimin e aktivitetit financiar pa leje dhe mashtrim. Sot, ky person kontrollon 71.5 për qind të Jet Bank përmes një zinxhiri kompanish të regjistruara në “parajsa fiskale” si Qiproja dhe përmes shoqërive guaskë në Holandë.
Por Avishai nuk është i vetëm në këtë sipërmarrje “fantazmë”. Bordi i bankës ngjan më shumë me një listë personash nën hetim ndërkombëtar sesa me një organ mbikëqyrës bankar. Oliver Hemmer, anëtar i këtij bordi, lidhet me platformën mashtruese “4XFX”, e hetuar në katër vende evropiane për zhvatje, ndërsa Rami Solomon, një ish-zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë në Izrael pa asnjë përvojë në këtë fushë, e plotëson këtë mozaik absurd.
Pyetja që shteti nuk guxon ta bëjë është: si arritën këta individë të kalonin filtrin e ”pastërtisë dhe përshtatshmërisë së figurës” të Bankës së Shqipërisë, kur e kaluara e tyre ishte e aksesueshme me një kërkim të thjeshtë në internet?
Mungesa e transparencës bëhet akoma më e dukshme kur analizohet arkitektura e fshehtë e bankës. Gati 30 për qind e aksioneve zotërohen nga pesë kompani izraelite që shfrytëzojnë mjeshtërisht një “vrimë” në ligjin shqiptar: pragun prej 25 për qind për deklarimin e pronarëve përfitues fundorë.
Duke i ndarë aksionet në pjesë të vogla nën këtë prag, Jet Bank mban në errësirë totale pronarët e vërtetë të një të tretës së kapitalit të saj. As publiku, as gazetarët, dhe me sa duket as entet rregullatore, nuk e dinë se kush janë vërtet njerëzit që po marrin në dorë paratë dhe të dhënat financiare të shqiptarëve.
Dhe këtu nuk mund të shmanget dimensioni politik i qeverisë Rama. Licencimi i shpejtë i Jet Bank përkon në mënyrë kirurgjikale me riorientimin e politikës së jashtme shqiptare drejt Izraelit, pas vizitës së kryeministrit Rama në Tel Aviv në fillim të këtij viti.
Ndërsa Tirana distancohet nga partnerë tradicionalë, ajo po i dorëzon sektorët strategjikë – si bankat dhe mbikëqyrjen teknologjike – ndaj një kapitali izraelit me origjinë të paqartë, i cili brenda një viti ka trefishuar praninë e tij në Shqipëri, nga pasuritë e paluajtshme te industria ushtarake.
Është një model i njohur, ku qeveria promovon “inovacionin” si mbulesë për mungesën e llogaridhënies dhe favorizimin e miqve të pushtetit. Fakti që drejtuesja ekzekutive e bankës, Fatbardha Rino, është një lidhje e afërt familjare e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj, shpjegon rrugën e shtruar dhe mungesën e pengesave në këtë proces “licencimi”.
Për më tepër, ndryshimet ligjore të miratuara me nxitim në parlament, i hapin rrugë kompanive të lidhura me këtë bankë për të përfituar përjashtim total nga taksat në parkun industrial të Duranës, një zonë e denoncuar shpesh si një strehë për transaksionet e krimit të organizuar.
Madje, adresat e para të regjistruara të Jet Albania në “Rrugën e Kavajës” përkonin me qendrat e mashtrimit telefonik (call-center) ilegale të goditura nga SPAK. Ky sinkronizim mes krimit, teknologjisë izraelite dhe bankimit, është një bombë me kurdisje për stabilitetin e vendit tonë.
Inovacioni digjital nuk mund të shërbejë si një “lavatriçe” e sofistikuar e bekuar nga zyrat e shtetit. Nëse institucionet ndërkombëtare si MONEYVAL nuk ndërhyjnë për të mbyllur këto zona të errëta të pronësisë, rreziku nuk do të jetë vetëm financiar, por një goditje e pariparueshme për sovranitetin e Shqipërisë.
Jet Bank mbetet sot një monument i mungesës së transparencës, ku modernizimi dhe mashtrimi bashkëjetojnë nën mbrojtjen e pushtetit, duke i lënë qytetarët me pyetjen pa përgjigje: a janë kursimet tona vërtet të sigurta, apo thjesht po financojnë “hije” që nuk njohin ligj? /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
