Ministri Hoxha: Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën me përkushtim të palëkundur dhe në çdo mënyrë të mundshme


E martë, 12 Maj 2026
Ministri Hoxha: Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën me përkushtim të palëkundur dhe në çdo mënyrë të mundshme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur dhe në çdo mënyrë të mundshme, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka konfirmuar se ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha.

Hoxha ka theksuar se me homologun ukrainas ka patur një shkëmbim të frytshëm dhe thelbësor mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund “luftës së padrejtë agresive të Rusisë”, si dhe mbi panoramën më të gjerë të sigurisë evropiane.

“Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal rus dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me përkushtim të palëkundur, në çdo mënyrë të mundshme. Gjithashtu, shkëmbyem pikëpamje mbi rrugëtimin tonë respektiv drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizuam rëndësinë e ruajtjes së ritmit për procesin e anëtarësimit evropian të të dy vendeve”, është shprehur Hoxha.

Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se diskutimi preku gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet e ardhshme, sipas tij, përfshirë një takim ministror që do të mbahet në qershor në Tiranë, “duke rikonfirmuar bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal”.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit