E enjte, 14 Maj 2026

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, në 27-vjetorin e masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ka theksuar se sulmet ndaj këtyre fshatrave ishin pjesë e një operacioni të organizuar nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ku civilët shqiptarë u përballën me dhunë dhe dëbim.
“Atë mëngjes, Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani u goditën si pjesë e një operacioni të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan nga shtëpitë, ndërsa burrat u ndanë, u plaçkitën, u mbyllën në shtëpi dhe u vranë. Më pas, shtëpitë u dogjën për t’i mbuluar gjurmët e krimit”, ka thënë u.d. presidentja Haxhiu.
Ajo shtoi se në këto fshatra u vranë njerëz të paarmatosur, banorë dhe mysafirë që ndodheshin aty gjatë kohës së luftës.
“U shuan jetë, u prekën familje të tëra, u dogjën shtëpi dhe u dëbuan civilë shqiptarë nga vendi i tyre. Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, vendosja e drejtësisë për këto masakra mbetet obligim institucional dhe moral ndaj familjeve të viktimave, të mbijetuarve dhe shtetit të Kosovës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
