Spajiq në Paris: Mbështetja e Francës thelbësore për anëtarësimin e Malit të Zi në BE


E enjte, 28 Maj 2026
Spajiq në Paris: Mbështetja e Francës thelbësore për anëtarësimin e Malit të Zi në BE

Mbështetja e Asamblesë Kombëtare të Francës është me rëndësi kyçe për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri malazez, Millojko Spajiq në Paris, raporton Anadolu.

Spajiq u takua në Asamblenë Kombëtare të Francës me kryetarin e Komitetit për Çështje Evropiane, Pierre-Alexandre Anglade dhe deputetë të tjerë, duke theksuar se është një nder i madh që i jepet mundësia t’u drejtohet përfaqësuesve të popullit francez.

Duke iu drejtuar parlamentarëve në gjuhën frënge, Spajiq tha se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Francës nuk janë vetëm miqësore, por strategjike, të bazuara në besim të ndërsjellë, dialog të vazhdueshëm politik dhe bashkëpunim konkret, i cili është forcuar në të gjitha fushat vitet e fundit.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm se zgjerimi i Bashkimit Evropian ngre pyetje legjitime, disa shprehin shqetësim për aftësinë e Unionit për t’u zgjeruar pa u dobësuar. Të tjerë frikësohen për kostot ekonomike ose pabarazitë sociale. Të tjerë ngrenë çështje të sovranitetit dhe sigurisë. Anëtarësimi i Malit të Zi nuk është rrezik për Evropën. Ai është një mundësi për ta bërë Evropën më të fortë”, tha Spajiq duke shtuar se Mali i Zi është faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Komitetit për Çështje Evropiane, Pierre-Alexandre Anglade theksoi se Mali i Zi është vendi që po përparon më shpejt në procesin e anëtarësimit në BE.

“Vendosmëria juaj po jep rezultate dhe po përparoni shpejt, dhe dëshmi për këtë është edhe hartimi i traktatit të anëtarësimit. Ne i përshëndesim përpjekjet dhe rezultatet që keni arritur gjatë mandatit të kësaj qeverie”, tha Anglade.

Spajiq theksoi se shoqëria malazeze është multietnike, multireligjioze dhe e bazuar në kulturën e dialogut dhe kompromisit, duke ndarë plotësisht vlerat evropiane.

“Gjatë katërmbëdhjetë viteve të negociatave kemi zbatuar reforma të thella: forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike. Këto reforma nuk i bëjmë vetëm për të përmbushur kriteret teknike, por sepse janë të drejta për qytetarët tanë dhe të domosdoshme për Evropën”, tha kryeministri i Malit të Zi.

Gjatë fjalimit, Spajiq theksoi se Mali i Zi është tashmë partner i besueshëm në fushën e sigurisë dhe si anëtar i NATO-s, i harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, kontribuon në stabilitetin e kontinentit në një kontekst gjeopolitik të shënuar nga lufta në Ukrainë dhe rritja e kërcënimeve hibride.

Ai theksoi se ambicia e Malit të Zi është të bëhet anëtar i përgjegjshëm që respekton rregullat dhe është i përkushtuar ndaj konvergjencës reale ekonomike dhe sociale.

“Integrimi ynë nuk do të jetë barrë, por kontribut në hapësirën e prosperitetit të përbashkët”, tha ai.

Spajiq tha se Mali i Zi është një rast i veçantë, shteti kandidat më i avancuar, i përkushtuar vazhdimisht në rrugën evropiane dhe i gatshëm të përmbyllë negociatat në të ardhmen e afërt.

“Suksesi ynë do të ishte edhe sukses i kredibilitetit të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi i Malit të Zi do të ketë ndikim përtej kufijve tanë. Do të dërgojë një mesazh të qartë për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor: reformat e bazuara në meritë sjellin rezultate konkrete. Do të forcojë stabilitetin rajonal dhe do të kufizojë ndikimet e jashtme që nuk ndajnë vlerat evropiane”, tha ai.

Ai shtoi se procesi i zgjerimit nuk varet vetëm nga vendet kandidate, por edhe nga vullneti politik i shteteve anëtare.

“Pas më shumë se një dekade përpjekjesh, po hyjmë në një fazë vendimtare. Mbështetja e Francës dhe e Asamblesë suaj do të jetë kyçe për ratifikimin e traktatit të pranimit. Mali i Zi nuk kërkon privilegj. Ai kërkon njohje të drejtë të përpjekjeve të tij. Ne duam të anëtarësohemi në BE jo si përfitues pasiv, por si partner aktiv, i gatshëm të kontribuojë në një Evropë më të fortë, më sovrane dhe më të bashkuar”, përfundoi Spajiq.

Deputetë nga grupe të ndryshme politike u interesuan për harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi me BE-në, stabilitetin rajonal, ndikimet e jashtme, si dhe për ekonominë, tregun e punës dhe mundësitë për të rinjtë që sjell anëtarësimi në BE.

Ata theksuan se Mali i Zi mund të llogarisë plotësisht në mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit evropian.

Spajiq u takua gjithashtu në Paris me presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili tha se Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetje të plotë politike të Francës në fazën përfundimtare të negociatave me BE-në.

Macron vlerësoi rezultatet reformuese të Malit të Zi dhe tha se vendi “po bën një punë të madhe”, duke theksuar se progresi i tij është inkurajim për vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE. “Suksesi i Malit të Zi u jep shpresë të tjerëve dhe tregon se zgjerimi i Bashkimit Evropian është i mundur”, tha Macron.

Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes dy vendeve, me theks në forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe strategjik si dhe në mbështetjen e fortë të ekspertëve francezë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit