Ushtria izraelite i drejtohet SHBA-së pasi dronët e Hezbollahut sulmojnë bazat ushtarake


E enjte, 28 Maj 2026
Ushtria izraelite i drejtohet SHBA-së pasi dronët e Hezbollahut sulmojnë bazat ushtarake

Ushtria izraelite po i drejtohet SHBA-së për sisteme dhe teknologji shtesë për t’u përballur me dronët e Hezbollahut, pasi disa mjete ajrore pa pilot goditën pozicione ushtarake në veri të Izraelit të mërkurën, sipas transmetuesit publik izraelit KAN, transmeton Anadolu.

KAN raportoi se grupi libanez lëshoi të paktën gjashtë dronë drejt veriut të Izraelit, ndërsa disa prej tyre shpërthyen në pozicione ushtarake.

Sipas lajmit, komandanti i forcave tokësore, gjeneralmajor Nadav Lotan, pritet të udhëtojë në SHBA në ditët në vijim për të mbikëqyrur blerjet që lidhen me kërcënimin në rritje nga dronët.

Zyrtarë të lartë të ushtrisë, të cituar nga KAN pa u identifikuar, kanë thënë se “nuk ka kufizime buxhetore” për përpjekjet për t’u përballur me sulmet.

KAN shtoi se ushtria po bën përpjekje të mëdha për të përmirësuar sistemet paralajmëruese kundër dronëve shpërthyes që synojnë ushtarët, përfshirë një sistem të ri zbulimi të zhvilluar për të dhënë alarme të ngjashme me sistemet paralajmëruese kundër raketave antitank.

Transmetuesi publik tha se Hezbollahu vazhdoi lëshimin e dronëve shpërthyes gjatë 24 orëve të fundit ndaj forcave izraelite në jug të Libanit, si dhe ndaj trupave të stacionuara brenda Izraelit, ku disa prej tyre goditën objekte ushtarake.

Sipas lajmit, ushtria ende nuk ka një përgjigje efektive ndaj këtyre sulmeve, pavarësisht pretendimeve të përsëritura izraelite për përparime në zbulimin dhe interceptimin e dronëve të Hezbollahut.

KAN raportoi gjithashtu se disa anëtarë të një ekipi sigurie në një vendbanim në veri të Izraelit u plagosën pasi një dron shpërthyes i Hezbollahut goditi teksa ata po përpiqeshin të ndihmonin ushtarët izraelitë që ishin shënjestruar pak minuta më herët në një sulm të ngjashëm.

Po ashtu thuhet se Hezbollahu ka përdorur gjithnjë e më shumë taktikën e goditjes fillimisht të trupave dhe më pas lëshimin e dronëve shtesë ndaj ekipeve të shpëtimit ose evakuimit që mbërrijnë më pas.

Më herët të mërkurën, Hezbollahu tha se kreu disa sulme me dronë ndaj grumbullimeve të trupave izraelite dhe mjeteve ushtarake, përfshirë një platformë të sistemit “Iron Dome” në pozicionin ushtarak Jal al-Allam në veri të Izraelit.

Dronët e Hezbollahut janë bërë një shqetësim në rritje për Izraelin muajt e fundit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu i kishte përshkruar më herët si “kërcënim të madh” për shkak të vështirësisë në zbulimin e tyre.

Që nga 2 marsi, Izraeli po zhvillon një ofensivë të zgjeruar në Liban, duke vrarë më shumë se 3.200 njerëz, plagosur mbi 9.600 dhe zhvendosur më shumë se 1,6 milion persona, sipas shifrave zyrtare.

Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e përditshme pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili hyri në fuqi më 17 prill dhe më pas u zgjat deri në fillim të korrikut.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit