E enjte, 28 Maj 2026

Një korpus ushtarak gjermano-holandez do të marrë një rol komandues në krahun lindor të NATO-s, konkretisht në Estoni dhe Letoni, njoftuan të enjten ministritë e mbrojtjes të të dy vendeve, transmeton Anadolu.
Vendosja e një selie shtesë taktike në rajon këtë verë do të forcojë kohezionin e NATO-s dhe do të mbështesë “parandalimin e Rusisë”, thanë ministritë gjermane dhe holandeze në një deklaratë të përbashkët, duke riafirmuar angazhimin e tyre për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s.
NATO pritet të formalizojë rolin e zgjeruar të Korpusit të 1-rë Gjermano-Holandez (1GNC) këtë verë. Kontingjenti dykombësh, me gatishmëri të lartë, mund të vendoset shpejt dhe të komandojë operacione tokësore. Sipas marrëveshjes së re, ai do të marrë komandën dhe kontrollin e njësive tokësore të NATO-s dhe kombëtare të stacionuara në Estoni dhe Letoni, duke drejtuar ushtrime dhe përgatitje të tjera dhe, në një krizë, duke koordinuar mbrojtjen e krahut lindor.
“Me integrimin e Korpusit Gjermano-Holandez në planet mbrojtëse të NATO-s, të dy kombet po marrin përgjegjësi të mëtejshme për sigurinë e Evropës”, tha Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një deklaratë duke shtuar se “Ne jemi të përkushtuar ndaj rolit tonë; me këtë Korpus po ofrojmë një histori suksesi të bashkëpunimit shumëkombësh”.
Me seli në Munster të Gjermanisë, selia e 1GNC mund të komandojë një forcë ndërkombëtare me një personel prej rreth 50.000 personash gjatë krizave dhe konflikteve. Përveç Gjermanisë dhe Holandës, më shumë se një duzinë aleatë të tjerë të NATO-s aktualisht kontribuojnë me staf në seli.
Selia e korpusit u vendos më parë në Afganistan në vitet 2003, 2009 dhe 2013 në mbështetje të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë (ISAF). Midis viteve 2005 dhe 2024, ajo mbeti në gatishmëri për Forcën e Reagimit të NATO-s për shtatë periudha njëvjeçare.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
