Masakra e Reçakut: Walker dhe Clark ftohet për të dëshmuar


E enjte, 4 Qershor 2026
Masakra e Reçakut: Walker dhe Clark ftohet për të dëshmuar

Më shumë se 26 vjet pas masakrës së Reçakut, një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, të cilët i akuzon për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999.

Aktakuza, e ngritur më 30 dhjetor 2025 nga prokurori special Ilir Morina, është paraqitur me propozim për gjykim në mungesë. Sipas dokumentit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të akuzuarit janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.

Prokuroria ka propozuar dëgjimin e 52 të dëmtuarve në cilësinë e dëshmitarëve, si dhe shtatë dëshmitarëve të tjerë, përfshirë ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ish-komandantin suprem të NATO-s, Wesley Clark, ekspertën mjeko-ligjore Helena Ranta dhe ekspertin kosovar Flamur Blakaj, transmeton Klankosova.tv.

Në aktakuzë përshkruhet në detaje ngjarja e 15 janarit 1999, duke u mbështetur në dëshmi, prova materiale, publikime nga burime të hapura dhe dokumente të siguruara nga ish-Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY). Sipas Prokurorisë, këto prova mbështesin dyshimin e bazuar se vepra penale është kryer dhe se 21 të akuzuarit kanë marrë pjesë në të.

Po ashtu, Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e gjykimit në mungesë. Ajo ka kërkuar që gjatë shqiptimit të dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese, si dhe që të akuzuarit të obligohen të kompensojnë të dëmtuarit për dëmet e shkaktuara.

Në fund të aktakuzës janë përfshirë emrat e 42 viktimave të masakrës së Reçakut dhe lista e 32 personave të tjerë që, sipas Prokurorisë, u torturuan dhe keqtrajtuan gjatë operacionit.

Çfarë pa Walker në vendin ku ndodhi Masakra?

Dëshmia e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e përfshirë në aktakuzën për masakrën e Reçakut, përshkruan skena tronditëse që ai pa në fshat më 16 janar 1999, një ditë pas vrasjes së civilëve shqiptarë.

Sipas aktakuzës, Walker ka deklaruar se ishte nisur drejt Reçakut pasi ishte informuar nga gjenerali Meizon se në fshat ishin gjetur më shumë se 15 persona të vrarë. Ai ka treguar se në vendngjarje kishte takuar përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe gazetarë, ndërsa kishte vendosur të shihte nga afër vendin ku ndodheshin viktimat.

Në dëshminë e tij, Walker ka rrëfyer se kishte parë trupa me plagë të shumta nga armët e zjarrit, gjak dhe dëmtime të rënda në kokë. Ai ka theksuar se viktimat mbanin veshje civile, tipike për banorët e zonës, dhe se nuk kishte vërejtur asnjë shenjë që do t’i identifikonte si pjesëtarë të UÇK-së.

Duke përshkruar pamjet në luginën mbi fshat, Walker ka deklaruar se kishte parë një numër të madh trupash të pajetë, të cilët kishin mbetur në pozicionet ku ishin vrarë. Sipas tij, në trupat e viktimave kishte plagë nga plumbat, veçanërisht në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë.

Ai ka thënë se kishte parë rreth 17 deri në 19 trupa, kryesisht burra të rinj dhe të moshës së mesme, ndërsa disa prej viktimave ishin më të moshuar dhe mbanin plisa. Walker ka deklaruar se pranë tyre nuk kishte parë armë apo gëzhoja që do të sugjeronin se kishin marrë pjesë në luftime, transmeton Klankosova.tv.

Sipas aktakuzës, verifikuesit ndërkombëtarë që inspektuan vendin kishin arritur në përfundimin se të shtënat kishin ardhur nga pozicione më të larta në dy kodra përreth zonës ku u gjetën trupat. Në vendngjarje, sipas tyre, ishin gjetur karikatorë dhe gëzhoja.

Walker ka deklaruar se nuk kishte arritur t’i shihte të gjitha viktimat e masakrës, të cilat sipas informacioneve që kishte marrë ishin gjithsej 45, por vetëm rreth gjysmën e tyre.

Aktakuza thekson gjithashtu se Walker kishte urdhëruar verifikuesit e OSBE-së të dokumentonin sa më shumë prova të mundshme, duke realizuar fotografi të viktimave dhe të vendngjarjes, me qëllim ruajtjen e dëshmive për ngjarjen.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit