E diel, 7 Qershor 2026

Dy persona janë arrestuar në Gorazhdec të Pejës nën dyshimin se kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, duke i orientuar ata të votojnë për një subjekt politik serb.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në vend.
Sipas Policisë, Drejtoria Rajonale në Pejë më 7 qershor 2026 ka pranuar informacione që lidhen me aktivitete të dyshuara të kundërligjshme në fshatin Gorazhdec.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 07.06.2026, ka pranuar një informacion që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar dhe ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.
Pas pranimit të informatave, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime operative në terren, duke realizuar bastisje dhe arrestuar dy persona të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë rast.
“Bazuar në këtë informacion, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime konkrete, ku kanë kryer bastisje dhe kanë hasur dy persona meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast. Të njëjtit janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit rajonalë”, njofton Policia.
Autoritetet theksojnë se ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në procese zgjedhore përbëjnë rrezik serioz për demokracinë dhe institucionet e vendit.
“Ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve. Veprimet policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dëshmojnë përpjekjet aktive dhe vendosmërinë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet më tej në komunikatë.
Organet e rendit bëjnë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Në fund, Policia thotë se iu ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës pa presion dhe të raportojnë çdo parregullsi apo tentativë për ndikim të kundërligjshëm.
“Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm e pa presion dhe për çdo rast të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Burimi: klankosova
