Konfirmohet interesimi i Fenerbahçes për Vedat Muriqin


E diel, 7 Qershor 2026
Konfirmohet interesimi i Fenerbahçes për Vedat Muriqin

Teksa gara presidenciale vazhdonte në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të Fenerbahçes, deklaratat e stafit drejtues ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve.

Feridun Geçgel, i cili bën pjesë në listën e Aziz Yıldırım për Football Inc., ndau disa detaje të rëndësishme rreth strukturës së klubit verdhe-blu për sezonin e ri gjatë procesit të votimit, shkruan “Kocaeli TV”.

Duke folur për gazetarët në vendin ku po mbahej kongresi, Feridun Geçgel shpjegoi përgatitjet që skuadra po zhvillon në prapaskenë.

Ai deklaroi se do të veprojnë me hapat e duhur dhe nuk do të nxitojnë, duke shtuar se pozitat që kanë nevojë për përforcime tashmë janë identifikuar qartë.

U raportua se fokusi kryesor në planifikimin e skuadrës do të jetë te sulmuesi, qendërmbrojtësi dhe krahu i djathtë.

Me ndeshjet kualifikuese që po afrohen, synimi është që përforcimet të finalizohen sa më shpejt.

Geçgel theksoi se ekipi po punon me përkushtim dhe se do të veprojë duke ruajtur balancën financiare. Kontaktet janë intensifikuar me qëllim që skuadra të kompletohet sa më herët.

Detaji më i spikatur në listë ishte profili i lojtarit që po konsiderohet për repartin ofensiv.

Feridun Geçgel zbuloi një nga emrat kryesorë në operacionin intensiv të transferimeve.

Ai konfirmoi zyrtarisht se janë në bisedime me yllin e kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqin, i cili më parë ka veshur fanellën verdhe-blu.

Duke kujtuar rregulloren aktuale që lejon 14 lojtarë të huaj në skuadër, Geçgel shtoi se po shqyrtojnë transferimin e dy sulmuesve, një qendërmbrojtësi dhe një krahu të djathtë.

Ai deklaroi se kanë kontaktuar një numër të madh lojtarësh dhe se ekipi drejtues i mundshëm do të vazhdojë të veprojë me hapa racionalë dhe të mirëplanifikuar.

Muriqi ishte pjesë e Fenerbahçes në sezonin 2019/20, ku shkëlqeu me 15 gola dhe pesë asistime në Superligën e Turqisë.

Pas këtij sezoni, ai u transferua te Lazio, ku luajti për një sezon e gjysmë, por nuk tregoi paraqitje të mira.

Nga janari i vitit 2022, Muriqi u transferua te Mallorca, së pari në formë huazimi deri në qershor të atij viti, e më pas nga po ajo verë u transferua si i përhershëm, ku është ende pjesë e klubit.

Mirëpo, pas rënies nga La Liga këtë edicion, edhe pse shënoi 23 gola në elitën e futbollit spanjoll, duket se Muriqi do të ndryshojë ambient./Express


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit