E enjte, 18 Qershor 2026

Nderim Beqiraj dyshohet se është personi që shtiu me ‘kallash’ në drejtim të Shkëlqim Kastratit mbrëmjen e së martës në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj përmes emisionit “Kosova Today”.
Sipas gazetares, sherri mes viktimës, i cili tashmë sipas policisë është edhe i dyshuar, si dhe Nderim Beqiraj nisi pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme,transmeton Klankosova.tv.
Zogaj ndër të tjera tregon se çfarë tha nëna e Shkëlqim Kastratit për të birin.
“Ajo tha se nuk ishte në dijeni se djali i saj kishte konflikt me dikë tjetër, megjithatë ishte në dijeni për dosjet e kaluara”, u shpreh gazetarja në Klan Kosova.
Shkëlqim Kastrati, sipas gazetares, ishte i kërkuar për katër vjet nga autoritetet gjermane për plagosjen e një roje në një klub nate.
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burimi: klankosova
