E hënë, 6 Korrik 2026

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të arrijë kapacitetet e plota operacionale në vitin 2029, kur sipas tij do të jetë e gatshme për mbrojtjen e territorit të vendit, mbështetjen e autoriteteve civile dhe pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare.
Në një intervistë për Euronews Albania, Maqedonci tha se procesi i transformimit të FSK-së po zhvillohet sipas planit 10-vjeçar të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018, ndërsa përfundimi i tij është paraparë për vitin 2028.
“Është aprovuar më 14 dhjetor 2018 nga Kuvendi. Gjatë kësaj faze kemi pasur një plan të tranzicionit, që tash jemi në përfundim. Viti 2028 parashihet. Investimet që kemi pasur ne kemi arritur t’i tejkalojmë shumë nga objektivat, si në aspektin e pajisjeve, jo vetëm në sasi, por edhe në llojet e armatimit, sepse kemi qenë të kufizuar në atë plan”, tha Maqedonci.
Sipas tij, investimet e bëra gjatë viteve të fundit kanë bërë që FSK-ja të tejkalojë objektivat e parapara në planin fillestar, veçanërisht sa i përket pajisjeve dhe armatimit.
“Jemi në fund të planit për arritjen e kapaciteteve operacionale. Ne planifikojmë që në vitin 2029 të kemi një forcë të gatshme për të mbrojtur territorin, të mbështesë autoritetet civile dhe të marrë pjesë në misione ndërkombëtare”, deklaroi ministri në detyrë i Mbrojtjes.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
