MPJD-ja për arrestimin e Selmanit në Serbi: Kemi kërkuar nga ndërkombëtarët të bëjnë presion për lirimin e tij


E hënë, 6 Korrik 2026
MPJD-ja për arrestimin e Selmanit në Serbi: Kemi kërkuar nga ndërkombëtarët të bëjnë presion për lirimin e tij

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka informuar menjëherë misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për arrestimin e kosovarit Osman Selmani procedurat e iniciuara ndaj tij nga autoritetet serbe.

Në një përgjgije për KOHËN thuhet se dhe në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë është kërkuar angazhim dhe ushtrim i ndikimit të tyre ndaj autoriteteve serbe për trajtimin e drejtë të rastit dhe lirimin e tij.

“Arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi, nën pretendimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, janë të ngjashme me rastet e mëparshme që janë kundërshtuar fuqishëm, duke i vlerësuar si veprime arbitrare, pa bazë të qëndrueshme ligjore dhe me prapavijë politike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thuhet se mbetet në kontakt me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë dhe u bën thirrje të vazhdueshme që të shtojnë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila, siç theksohet, “vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe arrestimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Po ashtu thuhet se pas konfirmimit të rastit, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar informacion të plotë lidhur me arrestimin, arsyet e ndalimit, trajtimin nga autoritetet policore, vendndodhjen e mbajtjes dhe të gjitha të dhënat relevante për rastin.

Paralelisht thuhet se është paraqitur edhe kërkesa zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Selmani në qendrën e paraburgimit.

Selmani u arrestua të mërkurën në pikë kufitare në Mutivodë, nën dyshimin për “Krime lufte”.

Serbia pretendon se më 14 qershor 1999 në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, ai në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, privuan nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq.

Por, djali i Slemanit, Arbeni, ka thënë se në kohën kur pretendohet të jetë kryer krimi, e gjithë familja ka qenë në Maqedoni, pasi është dëbuar nga forcat serbe.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit