E enjte, 26 Nëntor 2026

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë organizuar një operacion policor, të mbështetur edhe njësitë tjera hetuese, Njësitë Speciale (FIT) dhe AKI– ja, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë ku janë arrestuar tre persona dhe sekuestruar pasuri në vlerë 1 milion euro.
Ky aksion, është realizuar në katër lokacione të ndryshme.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 19 vetura, 1 otoçikletë, 6 telefona, 5 kompjuterë, 6 USB, 4,095.00 euro para të gatshme, 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike, dokumente të ndryshme relevante për rastin.
“Nga hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se tre personat e arrestuar, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët, i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe praktikat ndërkombëtare”, shkruhet në njoftim.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale