​Përurohet lapidari kushtuar Jakup Krasniti në Negroc – Djali i tij: Drejtësia do të triumfojë


E enjte, 26 Nëntor 2026
​Përurohet lapidari kushtuar Jakup Krasniti në Negroc – Djali i tij: Drejtësia do të triumfojë

Në hyrje të vendlindjes së ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi në fshatin Negroc të Drenasit është përuruar të enjten obelisku kushtuar ish kryekuvendarit.

Pikërisht, në kuadër të kësaj ceremonie është bërë edhe zbulimi i mbishkrimit me tri shkronjat “UÇK”, të vendosura në pjesën e sipërme të obeliskut.

Fotografia e Jakup Krasniqit, është vendosur në objektin përkujtimor karshi fotografisë së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit.

Përurimi i obeliskut vjen si një nderim për figurën e Krasniqit, i cili bashkë me ish krerët e UÇK-së aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Kthimin e Krasniqit në Kosovë, dhe të gjithë të tjerëve në Hagë e ka uruar djali i ish kryekuvendarit, Altin Krasniti duke thekson që beson plotësisht në triumfimin e drejtësisë.

“Shpresoj dhe besoj se drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre, pranë familjes dhe njerëzve të tyre. Faleminderit nga zemra të gjithëve”, përfundoi ai.

Tutje Krasniqi e vlerësoi mbështetjen e madhe për familjen, me ç’rast tha që pikërisht kjo përkrahje i jep forcë të vazhdojnë tutje.

Djali i Jakup Krasniqit: Mbështetja juaj na jep forcë edhe në kohët më të vështira

“Në emër të familjes sonë, ju shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që ia keni dëshmuar vazhdimisht familjarit, kushëririt dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqit. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira”, tha ai.

I bindur në pafajësinë e Krasniti dhe ish krerëve tjerë në Hagë u shpreh edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmuar në shtet-ndërtimin, çlirimin e vendit, dhe tash po përballet padrejtësisht në Gjykatën e Hagës, dhe unë personalisht shpresoj me binde të madhe që Apeli do të lirojë heronjtë tani, Baci Jakup, Hashimi, Kadria, Rexha, Cali dhe të tjerët janë heronj në lirisë së Kosovës dhe janë ata të cilët nuk kanë bë asnjë krim por e kanë ruajt e kanë mbrojte, mbështet popullin tonë”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka theksuar që fshati ka dashur të nderojë Krasniqin, dhe të dinë të gjithë se Negroci është vendlindja e tij, ku ka lindur, rritur e ka dhënë të gjithë kontributin.

Lladroci ka thënë që Krasniqi është hero i gjithë Kosovës.

“Unë Bacin Jakup e kam njohur përpara se ta njohë fizikisht, e kam njohur nga aktivitetet për përkushtimin për lirinë e Kosovës. Para se me dal në burg ishte njohur me Adem Jasharin, me Saminë me Fadilin Nurën, me shumë shokë ku kisha dëgjuar edhe prej Ilaz Kodrës edhe Fadilit se ata e kishin pas mësues në Skenderaj, arsimtar të Historisë, kisha dëgjuar se sa njeri i mirë, njeri patriot dhe i përkushtuar është baçi Jakup”, ka thënë ndër të tjera Lladrovci.

Përurimi i lapidarit dhe simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë 2 ditë para festës së 28 Nëntorit.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, javën e kaluar qëndroi për 4 ditë në Kosovë për të vizituar familjen e tij për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes, pas së cilës u kthye në Hagë.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit