Rama: PD-së i ka vdekur shpresa, nuk mund ta ngjallë me gurë e hekurishte


E martë, 8 Dhjetor 2015

Tirana – Kryeministri Edi Rama reagon për protestën e opozitës, e cila vijon ende në afërsi të Ministrisë së Brendshme. Në një status në “Facebook”, Rama shkruan se 25 vjet pas krijimit të saj, Partia Demokratike është shndërruar në hije të vetvetes dhe këtë e tregoi ajo që ndodhi sot.

Statusi i Ramës

Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD-në e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.

Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikes së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të SHQUP-it dhe një tufe të verbërish, të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë.

Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptarëve, një PD të katandisur në hije e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban – me të njëjtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkatërronte në fakt, fatkeqësisht, edhe regjimi komunist.

Keqardhje e sinqertë për të verbrit e shkretë që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar.

Neveri për politikën e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternativë qeverisëse dhe, fatkeqësisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërisë e as me ëndrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve.

Etiketa: ,
Të fundit