E shtunë, 14 Korrik 2018
Prizren – Pika e Kalimit Kufitar në Morinë të Kukësit, që e lidh Shqipërinë me Kosovën në 24 orët e fundit është përballur me fluks shumë të lartë kalimesh.
Kanë ardhur mijëra shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, por edhe të turistëve të huaj që udhëtojnë drejt bregdetit të Shqipërisë.
Sipas Policisë Kufitare brenda këtij harku kohor 24 orësh kaluan traun mbi 20 mijë persona dhe mbi 6 mijë automjete.
Vetëm në orët e para të mëngjesit të së shtunës nga ora 05:00 deri në orën 09:00, në doganën e Morinit kaluan traun 4 mijë persona dhe dy mijë automjete.
Ky fluks i lartë hyrjesh për në Shqipëri ka sjellë edhe krijimin e radhëve megjithëse autoritetet doganore dhe ato të policisë janë kujdesur të kryejnë procedura të përshpejtuara për të mos krijuar radhë të gjata.
Ndërkohë fluksi i parë i emigrantëve kosovarë që jetojnë dhe punojnë në vendet Bashkimit Europian, të cilët shkojnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore ka mbërritur edhe në Rrugën e Kombit.
Fluksi i kalimeve të automjeteve drejt kufirit Shqipëri-Kosovë përmes rrugës së kombit, vijon të jetë në masë të madhe pothuajse çdo orë të ditës.
Nëpërmjet Rrugës së Kombit, gjatë stinës së verës, rreth 1 milionë emigrantë Kosovarë i drejtohen vendlindjes së tyre për pushime, shkruan syri.net, transmeton Klan Kosova.
Etiketa: Kosovë, Pushimet, Shqipëri