SHBA-ja propozon Mikhail Bogachek për ambasador të ri në Kosovë


E mërkurë, 11 Nëntor 2026
SHBA-ja propozon Mikhail Bogachek për ambasador të ri në Kosovë

Mikhail Bogachek është emri i propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Kosovës.

Emri i tij është publikuar nga Shtëpia e Bardhë në listën e nominimeve të përcjella në Senatin amerikan për shqyrtim dhe konfirmim.

Bogachek pritet të marrë detyrën e re vetëm pas miratimit nga Senati, në përputhje me procedurat e emërimit të ambasadorëve amerikanë.

Ndryshe, ai ka një përvojë mbi 25-vjeçare në udhëheqjen e inovacionit dhe zhvillimin e sektorëve të kujdesit shëndetësor, teknologjisë dhe qeverisjes.

Në karrierën e tij profesionale, Bogachek ka shërbyer edhe si drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e funksionimit dhe administrimit institucional.

Në këtë pozitë, ai ka mbikëqyrur disa fusha të rëndësishme të organizatës, përfshirë menaxhimin financiar, prokurimin, burimet njerëzore, teknologjinë e informacionit dhe mbikëqyrjen e menaxhimit, si dhe Zyrën për Menaxhimin e Riskut.

Ndërkaq, ambasadori i fundit amerikan në Kosovë ishte Jeffrey M. Hovenier, i cili shërbeu në këtë pozitë deri në fund të dhjetorit të vitit 2025.

Aktualisht, detyrën e zëvendës-shefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë e ushtron Anu Prattipati.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit