Avokati i Popullit shpreh shqetësim për nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë


E mërkurë, 11 Nëntor 2026
Avokati i Popullit shpreh shqetësim për nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë

Ndotja e ajrit vazhdon të jetë një nga problemet më serioze mjedisore në Kosovë, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Avokati i Popullit, në një raport të datës 6 nëntor 2026, ka ngritur shqetësime për nivelin e ndotjes, tejkalimin e vlerave të lejuara dhe mangësitë institucionale në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas raportit, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, ngrohja e amvisërive, transporti rrugor dhe aktivitetet industriale mbeten ndër burimet kryesore të ndotjes atmosferike.

Të dhënat e përfshira në dokument tregojnë se gjatë vitit 2025, përqendrimi më i lartë i grimcave të imëta PM₂.₅ është regjistruar në Kodrën e Trimave në Prishtinë, duke arritur në 272 mikrogramë për metër kub, shkruan KosovaPress.

Raporti evidenton se tejkalimet e vlerave të lejuara janë më të shpeshta gjatë muajve të dimrit, kur përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje dhe kushtet e pafavorshme atmosferike ndikojnë në përkeqësimin e cilësisë së ajrit.

Sipas të dhënave për vitin 2025, stacioni monitorues te Rilindja në Prishtinë ka regjistruar 43 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore për PM₁₀, ndërsa Kodra e Trimave 32 ditë. Në Mitrovicë janë evidentuar 26 ditë, te stacioni i IHMK-së në Prishtinë 21 ditë dhe në Obiliq 16 ditë.

Tejkalime janë regjistruar edhe në Pejë, Gjilan, Drenas, Dardhishtë, Han të Elezit dhe Prizren.

Një tjetër shqetësim lidhet me përdorimin e drurit dhe qymyrit për ngrohje. Duke iu referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporti thekson se rreth 72% e familjeve në
Kosovë përdorin drurin për ngrohje, 23% energjinë elektrike dhe 5% burime të tjera.

Në dokument theksohet se ndotja nga ngrohja shtëpiake lidhet me rritjen e rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe atyre kardiovaskulare, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.

Sa u përket termocentraleve, raporti identifikon “Kosovën B” si ndotësin më të madh industrial, veçanërisht për emetimet e pluhurit dhe oksideve të azotit.

Avokati i Popullit vëren se emetimet nga termocentralet në shumë raste tejkalojnë kufijtë e lejuar, pavarësisht përmirësimeve të regjistruara në disa tregues të cilësisë së ajrit.

Raporti ngre shqetësime edhe për funksionimin e mekanizmave institucionalë të monitorimit dhe kontrollit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë vitit 2026 raportimi online i të dhënave për cilësinë e ajrit ishte ndërprerë përkohësisht për shkak të ndryshimit të serverëve, ndërsa publikimi i raporteve mujore dhe vjetore kishte vazhduar.

Po ashtu, gjatë hetimit është evidentuar se kontrolli i emetimeve të gazrave nga automjetet mbetet sfidë për institucionet përgjegjëse.

Avokati i Popullit kishte nisur hetimet me vetiniciativë më 31 mars 2023, pas shqetësimeve të vazhdueshme për ndikimin e ndotjes atmosferike në të drejtat e njeriut.

Në raport theksohet nevoja për masa konkrete dhe të koordinuara institucionale, përfshirë përmirësimin e monitorimit, forcimin e kontrolleve, zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe përdorimin e teknologjive më të pastra.

Dokumenti i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për mjedisin, energjinë, transportin dhe shëndetin publik.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit