Arrestohen 7 të dyshuar për trafikim dhe prostitucion


E enjte, 16 Janar 2014

Prishtinë, 16 janar – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në dy operacione policore të ndara që ka realizuar më 14 dhe 15 janar 2014 ka arrestuar 7 persona me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘trafikim me qenie njerëzore’ dhe ‘mundësim prostitucioni’, si dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit.

Në operacionin policor, të realizuar në rajonin e Prishtinës me datën 14/1/2013, pas një pune hetimore janë arrestuar pesë persona të dyshuar, për të cilët dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘mundësim apo detyrim të prostitucionit’.

Personat e arrestuar, sipas Policisë së Kosovës, janë: një femër me inicialet A. T., e lindur më 1986, SH. M. (mashkull) i lindur më 1983, A. T. (femër) e lindur më 1983, P. Ll. (femër) e lindur më 1994, dhe A. M. (femër), e lindur më 1986.

Operacioni tjetër policor, sipas PK-së, është realizuar me datën 15.1.2013 në rajonin e Gjilanit, me ç’rast pas hetimeve paraprake janë arrestuar dy persona të dyshuar me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale të ‘trafikimit me njerëz’, ‘posedimit ilegal të armës’ dhe janë identifikuar dy viktima e trafikimit.

“Gjatë këtij operacioni policor po ashtu janë konfiskuar këto gjësende: 1 revole e tipit Smith Weseone; 8 fishekë; para prej në vlerë prej 27.100 (njëzet e shtatë mijë e njëqind) euro, 1650 franga dhe 1000 dollarë”, ka njoftuar Policia.

Personat e arrestuar, sipas PK-së, janë: D. H. (mashkull) i lindur më 1977, Z. D. (mashkull) i lindur më 1981, ndërkaq, gjithnjë sipas Policisë, viktimat e identifikuara janë që të dyja femra, shtetase të Kosovës, të cilat janë intervistuar sipas procedurave të parapara për raste të tilla dhe janë informuar organet përkatëse për mbrojtjen e viktimave.

Policia bën me dije se të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës dhe në të dy rastet ndaj personave tanimë të arrestuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedurat tjera hetimore.

Etiketa: , ,
Të fundit