E diel, 23 Dhjetor 2018
[rt_reading_time]
PRISHTINË – Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mbajti fjalim në Mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ku foli edhe për dialogun si dhe komentoi mesazhet e publikuara të deputetit të PSD-së.
Kurti tha se fillimi i VV-së këtë vit ishte i pazakontë me daljen e disa anëtarëve të saj, që sipas tij, nuk ia dolën ta dëmtojnë Vetëvendosjen.
“Nuk e dinim pse ndodhi kjo, cilat ishin arsyet dhe shkaqet e qëndrimit armiqësor ndaj lëvizjes dhe ndaj meje. Arsyen e kësaj tentative hileqare e kuptuam vetëm dje kur i pamë në media mesazhet e publikuara”.
“Trishtohemi që parashikimet tona po dalin të sakta. Kushdo që po del prej Vetëvendosjes po përfundon në prehër të PDK-së”.
Kurti gjithashtu foli edhe për idenë e presidentit Hashim Thaçi për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku përmendi deklaratat e tij për “kompromise të dhimbshme” dhe “korrigjim të kufijve”.
“Skenari i Thaçit për ndarje e mori përgjigjen në protestën popullore të 29 shtatorit ku dhjetëra mijëra qytetarë dolën kundër këtij plani. E mesazhet e publikuara tregojnë se 12 deputetë tashmë Thaçi i paska blerë, janë borxhlinj të Thaçit dhe të Kadrisë. Tashmë ata flasin sikur Kadria dhe mbështesin Thaçin”.
Ndërsa vazhdoi se arsyeja se pse Thaçi po kërkon që të ketë marrëveshje me Serbinë deri në pranverë, sipas Kurtit është për shkak se atëherë i përfundon imuniteti në Gjykatën Speciale.
Në fjalimin e tij kreu i Vetëvendosjes gjithashtu përmendi edhe problemet sociale dhe ekonomike të vendit, që sipas tij qeveria e tanishme nuk ka ofruar zgjidhje.
“2018’ta ka pasur edhe vdekje të punëtorëve në vende të punës të cilave qeveria iu është përgjigjur me indiference”.
“Varfëria po rritet e po rriten edhe çmimet. Jeta në Kosovë po bëhet më e shtrenjtë. Qeveria nuk tregoi ndonjë prirje për të drejtuar ekonominë e Kosovës drejt zhvillimit”.
Etiketa: Aktuale, Albin Kurti, Kosovë, PDK, Vetëvendosje