Amerika nuk e lejoi Hagën ta bënte hetimin për “krime lufte” në Afganistan


E shtunë, 13 Prill 2019

HAGË – Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) me seli në Hagë ka refuzuar kërkesën e një prej prokurorëve të saj për të hetuar krimet e supozuara të luftës, të kryera në Afganistan nga forcat amerikane, me justifikimin e paqëndrueshmërisë dhe mungesës së bashkëpunimit me hetuesit afganë.

Vendimi është lavdëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një “fitore e rëndësishme ndërkombëtare”, ndërkohë që është kritikuar ashpër nga grupet mbrojtëse të të drejtave të njeriut, përfshi edhe “Amnesty International”.

Gjykatësit dhanë vendim vetëm një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i revokuan vizën prokurores së Hagës, Fatou Bensouda. Revokimi erdhi pikërisht pas kërkesës së saj, që Gjykata e Hagës të hetonte krimet e mundshme të luftës të zhvilluara nga forcat amerikane në Afganistan.

Në shpjegimin e detajuar të vendimit unanim, gjykatësit e Dhomës trianëtarëshe të Paragjykimit në Hagë shkruanin se një hetim i tillë “nuk do t’i shërbente interesit të drejtësisë”.

Trump tha se kjo ishte një fitore jo vetëm për patriotët, referuar ushtarëve amerikanë, por edhe për sundimin e ligjit. Në deklaratën e tij, ai e quajti më tej Gjykatën e Hagës si “të jashtëligjshme”, e tha se ajo do të përballej me një “kundërpërgjigje të shpejtë dhe të fuqishme” nëse do të tentonte të hetonte shtetasit amerikanë apo të aleatëve.

“Amnesty” nga ana e saj tha se refuzimi për hetuar ishte një “braktisje tronditëse e viktimave”, që mund të çojë në “dobësimin e besueshmërisë, edhe kështu të diskutueshme, të Gjykatës së Hagës”. Biraj Patnaik, nga “AI”, tha se vendimi mund të konsiderohet fare mirë si një “kapitullim pa kushte ndaj bullizmit të Uashingtonit”.

Etiketa: , , ,
Të fundit