E premte, 30 Dhjetor 2022
PRISHTINË – Qeveria e Kosovës ka ndarë 37 milionë e 500 mijë euro, siç ka thënë ajo, për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik. Prej tyre, 20 milionë i janë ndarë KEK-ut, ndërsa 17 milionë e 500 mijë janë ndarë për KOSTT-in, mjete këto të cilat do të merren nga kursimet buxhetore.
Në një komunikatë për media u bë e ditur se këtë vendim ekzekutivi e ka marrë në një mbledhje elektronike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar: Kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje të mjeteve buxhetore për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik, në vlerë prej 37,500,000.00 € (tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë euro), nga të cilat 20,000,000.00 € (njëzet milionë euro) janë ndarë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me rastin e vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe 17,500,000.00 € (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro) janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike”, thuhet në komunikatë.
Etiketa: energjia, kek, Kosovë, KOSTT