Propozimi europian dhe dialogu, temë në takimin e Kurtit me Scholzin


E shtunë, 18 Shkurt 2023

MYNIH – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gër​valla, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, u takua me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Europë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna.

Në takim u bisedua për progresin në vend, që është evidentuar edhe nga shumë organizata ndërkombëtare si dhe Raporti i Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2022, progres të cilin e përshëndeti Kancelari Scholz.

“Rritja ekonomike, sundimi i ligjit, mbështetja sociale dhe demokratizimi institucional e shoqëror kanë avancuar gjatë dy viteve të fundit, theksoi kryeministri Kurti”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Scholz dhe ministren Colonna se Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara me 3 nëntor në Berlin, që së shpejti do të ratifikohen edhe në Kuvend, duke dëshmuar kështu përkushtimin tonë për Procesin e Berlinit.

“U fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet për takimin e radhës në Bruksel, si dhe për propozimin europian për normalizim të marrëdhënieve, të pranuar tashmë si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe kornizë solide për të ecur përpara”.

“Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Francës, Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si vend pro-europian dhe pro-amerikan, mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”.

Etiketa: , , , ,
Të fundit