E hënë, 15 Janar 2024
Reçak, SHTIME – Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak në kuadër të shënimit të 25-vjeorit të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt edhe ceremonia përkujtimore ku morën pjesë tre krerët e shtetit, ambasadori William Walker, Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu e shumë përfaqësues të tjerë diplomatikë e të institucioneve vendore.
“Në kronologjinë e historisë së masakrave të kryera nga Serbia me forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake mbi shqiptarët në vendin tonë, masakra e Reçakut është më e hershmja në kalendarin e vitit 1999. Atë vit, në një datë sikur e sotmja, pra më 15 janar, këtu në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore të Serbisë i vranë 45 civilë shqiptarë, mes të cilëve më i riu ishte Halim Beqiri 14-vjeçar, kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99-vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre, tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës” tha në fillim të fjalës së tij kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore.
Ndonëse 25 vite më parë Serbia e aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit, kjo masakër ka patur e ka lënë pas dëshmi dhe dëshmitarë, që dëshmojnë gjithë të vërtetën nga fillimi deri në fund: nga e shtëna e parë deri te përpjekja për fshehjen dhe justifikimin e krimit, nga trupi i Banush Kamerit me kokën e prerë dhe deri te kufomat e masakruara e të gjymtuara në Kodrën e Bebushit.
Në radhë të dëshmitarëve ai përmendi banorët e mbijetuar të Reçakut dhe fshatrave të tjera të Shtimes, ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes, Misionin Verifikues në Kosovë të OSBE-së dhe Kryesuesin e këtij misioni William Walker që e cilësoi këtë masakër “krim kundër njerëzimit”, gazetarë dhe fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, ekipin finlandez të forensikës që u bënë autopsitë e 45 kufomave, doktorin Vezir Bajrami i cili ishte mjek në luftë e ushtarin e UÇK-së, Arlind Guraziu, që jetoi i traumatizuar nga pamjet e kufomave derisa vdiq më 2014.
Ai tha se populli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak, dhe askund tjetër. Duke rikujtuar se një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës pati lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 të dyshuar serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut, ai theksoi se këto krime nuk vjetrohen asnjëherë, siç nuk mund të fshihen nga historia e shtetit të Serbisë që i kreu këto krime dhe nga historia e Kosovës dhe e popullit të saj që i përjetoi me aq shumë dhimbje dhe i trashëgoi me kaq shumë humbje e vuajtje.
Së fundmi më 12 janar 2024, kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Grupit Punues për Hartimin e Detyrës Projektuese të Projektit për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut” në Reçak të Shtimes, për ta përforcuar dhe monumentalizuar kujtesën dhe trashëgiminë për masakrën e Reçakut. Anëtarët e këtij grupi punues nga pozita të ndryshme institucionale, do ta kenë për detyrë të hartojnë një detyrë projektuese për projektin për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”, ashtu që në Reçak të ketë një kompleks të dinjitetshëm për kujtimin e Masakrës,
“I përjetshëm në kohë të kohëve qoftë kujtimi për të vrarët në Masakrën e Reçakut!”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.
Etiketa: 25 vjetori, Aktuale, Kosovë, Krimet serbe, Masakra e Reçakut, Reçak