Bajram nën frikë: si po kufizohet hapësira publike për myslimanët në Indi


E mërkurë, 27 Maj 2026
Bajram nën frikë: si po kufizohet hapësira publike për myslimanët në Indi

Besimtarët përballen me ndalime, kërcënime dhe mbikëqyrje gjatë lutjeve të Kurban Bajramit
Në Uttar Pradesh të Indisë, atmosfera para Kurban Bajramit nuk ngjan më me një festë fetare. Sipas raportimit të Al Jazeera, në shumë qytete dhe fshatra me shumicë myslimane, diskutimet nëpër xhami nuk lidhen me sakrificën apo bamirësinë, por me pyetje të tjera: ku mund të falen besimtarët, sa persona lejohen të mblidhen dhe si të shmangen konfliktet me policinë ose grupet nacionaliste hindu.

Në fshatin Maliyana pranë Meerut-it, komitetet e xhamive po u kërkojnë besimtarëve të falen me ndërrime dhe të shmangin grumbullimet jashtë objekteve fetare. “Mos debatoni, mos reagoni ndaj provokimeve dhe shmangni videot!”- paralajmërojnë organizatorët.

Shumë myslimanë kontrollojnë vazhdimisht njoftimet e policisë në WhatsApp, ku autoritetet i këshillojnë të mos kryejnë lutje publike. Kjo klimë tensioni lidhet me rritjen e nacionalizmit hindu në Indi, sidomos pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Narendra Modi në vitin 2014.

Siç shkruan Al Jazeera, grupe të ekstremit të djathtë hindu dhe politikanë të BJP-së kanë kundërshtuar prej vitesh lutjet myslimane në rrugë apo hapësira publike, duke pretenduar se ato shkaktojnë probleme trafiku dhe sigurie.

Në disa raste, protesta dhe fushatat online kanë çuar në anulimin e lejeve për falje publike. Javën e kaluar, organizata hindu Vishwa Hindu Parishad kërkoi ndalim kombëtar të lutjeve në rrugë, duke i cilësuar ato “demonstrim force”.

Ndërkohë, myslimanët argumentojnë se shumë xhami nuk kanë kapacitet për të pritur turmat e mëdha të Bajramit, sidomos në zonat urbane të mbipopulluara.

Situata është bërë më e tensionuar në Uttar Pradesh, shteti më i populluar i Indisë, i drejtuar nga Yogi Adityanath, një figurë e njohur për retorikën e ashpër kundër myslimanëve.

Ai deklaroi se myslimanët duhet të falen “me ndërrime” dhe paralajmëroi se, nëse nuk binden, autoritetet do të përdorin “metoda të tjera”. Për komunitetin mysliman, këto deklarata perceptohen si kërcënim.

Disa kujtojnë se vitin e kaluar besimtarë u arrestuan për falje në hapësira të hapura, ndërsa në raste të tjera pati shembje shtëpish dhe ndëshkime administrative. “Njerëzit janë natyrisht të frikësuar”, thotë një banor i Meerut-it, duke kërkuar anonimitet.

Si pasojë, shumë familje po u kërkojnë të rinjve të shmangin turmat dhe të mos qëndrojnë gjatë jashtë xhamive. Komitetet fetare po koordinohen drejtpërdrejt me policinë për të shmangur përplasjet, ndërsa vullnetarët mbikëqyrin hyrjet dhe shpërndarjen e shpejtë të besimtarëve pas lutjeve.

Për shumë myslimanë, problemi nuk është vetëm praktik, por edhe psikologjik. Ata ndihen të monitoruar dhe të ekspozuar ndaj fushatave të urrejtjes në internet. “Edhe lutja është bërë diçka për të cilën mendon dy herë”, thotë një inxhinier nga Noida.

Sipas analizës së Al Jazeera, kritikët theksojnë se qeveria shpesh lehtëson procesionet dhe festimet masive hindu me mbështetje policore dhe infrastrukturore, ndërsa lutjet myslimane trajtohen si çështje sigurie. Kjo ka krijuar ndjesinë e një zbatimi selektiv të ligjit dhe ka thelluar ndjenjën e përjashtimit tek komuniteti mysliman në Indi. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit