Të enjten përfundon pushteti i PDK-së!


E hënë, 15 Shtator 2014

Koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, kësaj radhe kishin zgjedhur një ambient në periferi të Prishtinës për t’u takuar, për të diskutuar rreth seancës konstituive që do të mbahet të enjten.

Ramush Haradinaj e Albin Kurti thanë se takimi i sotëm ishte për konsultimet para seancës konstituive të së enjtes, në të cilën presin që të zgjedhën organet drejtuese të Kuvendit, dhe pastaj për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, në këtë takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Listës Srpska, e cila ka kërkuar sqarime rreth qëndrimit të Vetëvendosjes për dialogun dhe marrëveshjen e 19 prillit e arritur në Bruksel mes dy kryeministrave, Hashim Thaçit e Ivica Dacicit.

Por, Lideri i AAK-se, Ramush Haradinaj, tha se ende nuk janë takuar me përfaqësuesit e Listës Srpska për të biseduar rreth këtyre çështjeve, por se edhe ata por edhe komunitetet tjera do të kenë vendin në Qeveri, sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Nuk kemi pasur rast të takohemi sot, por besoj që edhe lista Srpska, sikurse edhe komunitetet tjera e kanë mundësinë të marrin pjesë në institucioneve ashtu siç e parasheh kushtetuta, kuptohet angazhimi ynë në mes koalicionit tonë LAN-VV është në të mirë të gjithë qytetarëve dhe po punojmë në dobi të qytetarëve të vendit”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se nga ana e koalicionit LAN-VV, gjithçka është gati për seancën që vjen, duke ritheksuar edhe një herë mospajtimin e tyre për shtyrjen e seancës.

Ndërsa, në anën tjetër Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se takimi i zhvilluar në periferi të Prishtinës, ishte në mënyrë që ta kenë mundësinë më të madhe për përqendrim, për të diskutuar rreth seancës të së enjtes në mënyrë që përfundimisht pas zgjedhjeve të 8 qershorit, Kosova ta fitoj edhe udhëheqjen e re të parlamentarit, e më pastaj edhe Qeverinë e re.

Mirëpo, Kurti nuk tregoi se a do t’i japin Listës Srpska sqarimet e kërkuara rreth qëndrimit të tij dhe subjektit që ai drejton, në raport me dialogun dhe marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Besoj se teksti i marrëveshjes është krejtësisht i qartë dhe ajo që për neve vazhdon të jetë e paqartë, se si bëhet që shtyhet seanca kur nuk kanë mbetur 24 orë deri në fillimin e saj, përkatësisht si bëhet që të enjten pasdite shtyhet seanca e 120 deputetëve që duhej të mbahej në paraditen e 12 shtatorit….Ndërsa, sa i përket çështjeve tjera politike, unë besoj se ato janë plotësisht të qarta dhe mendoj që të enjten do ta kemi edhe një konfirmimi të radhës dhe qeverisja e pushteti i saj i cili nuk është kufizuar tek qeveria po është shtrirë edhe tek institucionet e pavarura, madje edhe në Kuvendin e Kosovës me gjithë mend po merr fund”, tha Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes shtoi se në mbledhjen e organizuar nga kryesuesja Flora Brovina me përfaqësues të partive politike, në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme është shtyrë seanca, meqenëse sipas tij, e vetmja instancë që ka të drejtë ta shtyj seancën është vet seanca.

Kurti ka shtuar se gjatë këtyre tre muajve të fundit është parë se PDK-ja nuk është në gjendje që t’i konstituoj institucionet e Kosovës, prandaj sipas tij, PDK-ja e ka vendin në opozitë dhe shteti i kapur duhet një herë e përgjithmonë të çlirohet nga pushteti dhe t’i hapet rrugë Republikës, drejtësisë, barazisë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve./RTK/

Etiketa: , , , , ,

Leave a Reply