CIA: Shqiptarët ruajnë stabilitetin e pakët të Maqedonisë


E hënë, 3 Shkurt 2014

Politika e ndjekur nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, vlerësohet si fajtore kryesore për degradimin e imazhit ndërkombëtar të Maqedonisë.

Duke komentuar deklaratën e shefit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, James Clapper, analistë politikë theksojnë se vendi ka nevojë urgjente për ta ndryshuar kursin, nëse synohet që të integrohet në strukturat euro-atlantike.

Analisti politik Alajdin Demiri thekson se raportet dhe informatat nga shërbimet sekrete amerikane kanë bazë në atë se konstolacionet në Ballkan janë duke u ndryshuar.

Ai thotë se është e vërtetë se as Bosnja e as Kosova nuk janë stabilizuar deri në fund. “Bosnja është më keq, ndërsa Kosova po vjen duke u stabilizuar pas marrëveshjeve të fundit dhe dhënies së një autonomie të madhe për veriun. Ndërkaq këtu nacionalizmi maqedonas është gjithnjë më i egër.

Nuk ka arsye të jashtme, nga Greqia, Bullgaria, apo nga Serbia. Problemet me fqinjët janë latente dhe nuk e degradojnë stabilitetin e Maqedonisë. Gërryerja e themeleve të Maqedonisë me këtë nacionalizëm të egër është i neveritshëm. Prandaj Maqedonia merr statusin e shtetit më të pasigurt në Ballkan”, ka thënë Demiri, për “Zhurnal plus”.

Shqiptarët, shtyllë e stabilitetit

Ai thekson se toleranca dhe mirëkuptimi i shqiptarëve përballë nacionalizmit maqedonas deri tash është në nivel të kuptueshëm, mirëpo shumë shpejtë mund të humbë edhe ky mirëkuptim, për shkak se nacionalizmi maqedonas është institucional, prekë shumë thellë në stabilitetin e vendit.

“Shqiptarët janë duke e luajtur rolin e stabilizuesit me politikën e tolerancës dhe të mirëkuptimit. Mirëpo ky rol është fragjil për shkak se sa më tepër tolerohet nacionalizmi maqedonas, në anën tjetër egërsohet më tepër. Shqiptarët nuk janë faktorë që në këtë fazë e destabilizojnë vendin.

Mirëkuptimi për gjendjen dhe toleranca e tyre është në nivel maksimal. Mirëpo, problemi është se a do të mund të mbahet gjatë kjo tolerancë”, ka vlerësuar Demiri.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar, shërbimet e sigurisë, janë të vetëdijshme për rolin pozitiv të shqiptarëve. për këtë arsye ka presione ndaj Maqedonisë, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe faktorët e tjerë, me qëllim që kjo gjendje të stabilizohet.

Në anën tjetër, ish-ministri i brendshëm dhe partneri i koalicionit të Gruevskit, Pavle Trajanov vlerëson se aktualisht ka një gjendje stabile, por nënvizon se Ballkani është i paparashikueshëm sa i përket sigurisë.

Trajanov ka thënë se të gjitha informacionet që vinë nga shërbimet e fuqishme inteligjente, si ajo e SHBA-së, duhet të shqyrtohen me gjithë seriozitetin, dhe të jenë bazë për thellimin e informatave relevante.

Ndërsa, Tito Petkovski, kryetar i PRSD-së, ka thënë se nëse sqarohen, këto vërejtje janë serioze për prioritetet eMaqedonisë. “Jetojmë në një rajon tejet turbulent.

Jo vetëm që bëhet fjalë për CIA-n, por edhe për një agjenci inteligjence të një shteti si SHBA-të, e cila ende projekton dhe ndërton konfigurimin politik në botë. Nuk ka vend për nënvlerësim. Unë e shoh si vërejtje për qeverinë e Maqedonisë rreth prioriteteve të shtetit. Nëse dihet se prioritet janë të ndryshme për partnerët e koalicionit, situata bëhet edhe më e ndërlikuar”, ka vlerësuar Tito Petkovski.

Indikatorët e krizës

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, thotë se nuk ka vend për panikë, por megjithatë ka nevojë për hapa seriozë ndaj zgjidhjes së problemeve. Sipas tij, shqetësues është vlerësimi se Maqedonia zuri vendin që la Kosova dhe Bosnja për mundësinë e paraqitjes së një spiraleje destabilizimesh.

“Në bazë të disa parametrave, tensioneve ndëretnike, populzimit etnik të pushtetit, krimit të organizuar, tensioneve me Greqinë dhe moszgjidhja e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë si dhe faktorët socialë, sikurse papunësia dhe varfëria.

Të gjitha këto elemente janë indikatorë të krizës dhe në kushte të stresi më të madh ndëretnik apo social, mund të destabilizojnë shtetin dhe të jenë shkak për përforcimin e kësaj spiraleje të destabilizimit siç ishte rasti në vitin 2001”, ka thënë për mediat Nano Ruzhin.

Gjatë një prezantimi para Komisionit të Posaçëm në Senatin e Shteteve të Bashkuara për kërcënimet mbi sigurinë në botë në vitin 2014, ka përmendur edhe Ballkanin Perëndimor, në veçanti Maqedoninë duke tërhequr vërejtjen e tensioneve etnike për shkak të politikave nxitëse të pushtetit aktual.

Clapper ka deklaruar se Qeveria e Maqedonisë vazhdon të nxisë programe që synojnë të inkurajojnë nacionalizmin e maqedonasve etnikë në kurriz të integrimit euro-atlantik të vendit. Por, partitë politike në pushtet në Maqedoni, VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nuk kanë dashur të komentojnë dokumentin e drejtorit të Zbulimit Kombëtar të SHBA-së, James Clapper, ku theksohet se,

“Sa më gjatë që rruga e Maqedonisë për anëtarësimin në BE dhe NATO, të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, si dhe të marrëdhënieve të dobëta dypalëshe me Bullgarinë, aq më i madh është rreziku që tensionet etnike të rriten”.

Ndërsa, për partinë maqedonase në opozitë, Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, ky qëndrim paraqet konfirmim të shqetësimeve të ngritura nga kjo parti se qeveria aktuale nuk është e angazhuar në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, por është e përkushtuar të vërë në pah pjesë të së kaluarës së lavdishme të Maqedonisë.

“Me Qeverinë e VMRO DPMNE-së, ne përjetojmë dy lloje të rrezikut. E para ka të bëjë me varfërinë e thellë, e cila është evidente dhe njëherësh mund të shpërthejë në revoltë sociale. Më duhet të theksoj se kur të shpërthejnë pakënaqësitë sociale, është çështje kohe se kur ata do të reflektohen në përkeqësimin e raporteve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Petre Shilegov./zhurnal/

Etiketa: ,
Të fundit