E martë, 11 Mars 2014
Debatik Curri e ka përshkruar gjendjen në Sevastopol si shumë më të qetë seç duket në televizor.
Mirëpo, futbollisti i Kombëtares shqiptare megjithatë ka lënë të hapur mundësinë që të largohet nga klubi Sevastopol, nëse situata përkeqësohet ditëve të ardhshme.
Sevastopoli është qyteti i dytë më i madh në Krime, gadishullin ukrainas në Detin e Zi, që është marrë nën kontroll nga forcat proruse. Në Krime, më 16 mars do të mbahet një referendum, ku qytetarët do të pyeten nëse duan që gadishulli të largohet nga Ukraina dhe t’i bashkohet Rusisë.
Planet e Krimesë, të mbështetura nga Moska për t’u larguar nga Ukraina dhe për t’iu bashkuar Rusisë, po kundërshtohen nga vendet evropiane dhe SHBA-ja.
30-vjeçari Curri, në janar të këtij viti, firmosi për dy vite me skuadrën Sevastopol. Ai të dielën udhëtoi drejt Sevastopolit, pasi qëndroi dy ditë pushim në Kosovë.
“Situata në qytet është e qetë. Sot vazhdova me stërvitjet pas pushimit. Gjendja është shumë më e qetë nga çfarë duket në televizor, por të gjithë janë duke e pritur referendumin. Situata e krijuar, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë ndikim në klub. Është e qetë, nuk kemi humbur seancat stërvitore dhe ato i kemi zhvilluar normalisht”, ka thënë Curri, transmeton “Panorama Sport”.
Situata Sevastopoli është njëri prej dy qyteteve me status special në Ukrainë. Është qytet me rëndësi të madhe strategjike detare. Në Sevastopol ndodhet baza më e madhe e flotës detare të Rusisë. Mbi 70 për qind e banorëve të këtij qyteti janë rusë, që është përqindje më e lartë se mesatarja në Krime.
Në Krime 58 për qind e popullatës është ruse, që po synon të bashkohet me Rusinë dhe të ndahen me Ukrainën.
“Në qytet shumica janë rusë dhe duan të jenë me Rusinë. Askush nuk e di se çfarë do të bëhet. Po e presin referendumin. Është vendosur që kampionati të vazhdojë dhe ne po përgatitemi për ndeshjen e parë”, ka shtuar Curri.
Sezoni pranveror në Ukrainë është dashur të nisë më 1 mars, por për shkak të krizës së Krimesë u shty për 15 mars. Sevastopoli më 15 mars luan në transfertë kundër Dnipros.
“Ndeshjen e parë e kemi me Dnipron dhe luajmë në transfertë. Por, nuk e dimë çfarë do të bëhet për ndeshjen e dytë që e kemi në shtëpi. Tavrija, që është nga Simferopoli, pra nga Krimeja, në ndeshjen e parë duhej të priste Dinamo Kievin. Por ky takim është vendosur të luhet në Kiev e jo në Simferopol”, ka pohuar Curri.
Largimi
Ai e ka në opsion largimin nga Sevastopoli. “Nëse situata ndryshon dhe vendoset që skuadra të luajë në Rusi, unë do të largohem. Nuk jam i interesuar të luaj në Rusi, për shkak të udhëtimeve të gjata. Do të largohem, edhe nëse në qytet paraqitet ndonjë problem. Shumë lojtarë tashmë janë larguar nga skuadrat ukrainase, por jo edhe nga skuadra jonë. Natyrisht, nëse keqësohet gjendja, edhe unë do të iki”, ka shtuar mbrojtësi i Shqipërisë.
Curri ka treguar se kur është kthyer nga Kosova, persona civil në një postbllok në hyrje të qytetit e kanë ndalur veturën e tij dhe ia kanë kontrolluar bagazhin. Thotë se në qytet nuk vërehen forca të mëdha pro-ruse që kanë marrë nën kontroll tërë gadishullin.
Etiketa: debat, Sevastopol