Dekorohet Kombëtarja, mbrojtën dinjitetin shqiptar


E mërkurë, 12 Nëntor 2014

Tiranë – Kombëtarja shqiptare e futbollit u dekorua me çmimin ‘Hasan Prishtina’, për qëndrimin e mbajtur më 14 tetor, në stadiumin e Beogradit. Futbollistëve të Kombëtares iu dha ky çmim për meritat e veçanta në mbrojtje të simboleve kombëtare, identitetit dhe dinjitetit shqiptar në ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Çmimi “Hasan Prishtina” iu dorëzua kapitenit të kuqezinjve, Lorik Canës. Kjo ishte një dhuratë e bukur nga Shoqata për kthimin e të shpërngulurve në trojet e tyre, në prag të dy sfidave të radhës.

Shqipëria të premten do të ndeshet me Francën në Rennes, ndërsa katër ditë më vonë do të sprovojë forcat me Italinë në Genova.

Çmimin ‘Hasan Prishtina’ u është akorduar personalitete të ndryshme shqiptare dhe botërore, ndër të cilët mund të veçojmë ish-Presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.

Kombëtarja kuqezi e shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke i dhuruar shoqatës fanellën me numër 5 të Lorik Canës, e firmosur nga të gjithë futbollistët e Kombëtares.

Etiketa: ,
Të fundit