Dialogu po i kthehet thelbit, por marrëveshja finale është larg


E enjte, 20 Tetor 2022

BERLIN – Perëndimi po mundohet të kthejë fokusin e dialogut Kosovë-Serbi drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, por kjo marrëveshje nuk mund të pritet në një kohë të afërt.

Kështu ka vlerësuar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Ai i ka bërë këto komente për Radion Evropa e Lirë më 19 tetor, ditën kur i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Weber e ka komentuar për REL-in edhe këtë temë:

“Asnjëri nga ne nuk e ka parë propozimin, apo çfarë përmban. Ka shumë dezinformata (lidhur me të)”.

Weber, megjithatë, ka thënë se nuk ka dyshim që “ka një përpjekje nga këto dy shtete lidere në BE (Franca dhe Gjermania), me mbështetje të SHBA-së”, për t’i dhënë një drejtim dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, këto përpjekje vijnë pasi, së fundmi, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë janë udhëhequr kryesisht nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, “dhe janë fokusuar kryesisht në çështje bilaterale”.

“Kjo, siç duket, po ndryshon pjesërisht, të paktën me këtë iniciativë franko-gjermane, që do të thotë se dialogu po kthehet në thelbin e tij”, ka thënë Weber.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të mendohet se Kosova dhe Serbia janë afër një marrëveshjeje finale.

“Unë mendoj se ajo që momentalisht po diskutohet, ka të bëjë me çështje madhore, por nuk duket se ka ndonjë propozim apo plan të shkruar, e lëre më marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk mendoj se këto bisedime janë as afër kësaj”, është shprehur Weber.

Ai ka vlerësuar se afrimi i një marrëveshjeje finale të shkruar do të sinjalizohej vetëm me një diskutim të nivelit shumë më të lartë, përkatësisht në mes të presidentit amerikan, Joe Biden, kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron./REL

Etiketa: , , , ,
Të fundit