Donald Trump: perandori i një qytetërimi në agoni


E hënë, 18 Maj 2026
Donald Trump: perandori i një qytetërimi në agoni

Evropa mund ta rifitojë fuqinë e saj vetëm duke pushuar së qeni një vasale e Amerikës

Ngritja e Donald Trumpit në pushtet nuk është një episod i rëndomtë, por një revolucion që ka sjellë shkëputjen e Evropës nga Amerika, fundin e mundshëm të NATO-s dhe rënien e rendit ndërkombëtar liberal të bazuar mbi ideologjinë e të drejtave të njeriut.

Ky ndryshim doktrinar nuk do të mbyllet me largimin e tij. Do të duhet shumë kohë për të riparuar copat e thyera. Trump është një shembull i dukshëm i “çezarizmit’” që shfaqet në fazat përfundimtare të qytetërimeve.

Megjithatë, trumpizmi nuk është një populizëm si të tjerët. Edhe pse dallohet për megalomaninë e tij, ai nuk është i paparashikueshëm. Synimet e tij janë të qarta sepse ai i shpall vetë ato.

Si një lojtar bixhozi, arti i tij i marrëveshjes, bazohet te bllofi. Ai kërkon shumë më tepër nga sa synon, duke kërcënuar me masa akoma më të rënda. Trump beson se çdo gjë në jetë është çështje marrëdhëniesh fuqie dhe se çdo gjë ka një çmim e mund të blihet, gjë që nuk është gjithmonë e vërtetë, pasi ekzistojnë vlera ekzistenciale që nuk shiten.

Në rrafshin e brendshëm, ai nuk i sheh kundërshtarët si opozitë, por si armiq, duke ngjallur një lloj makartizmi të krahut të djathtë. Në politikën e jashtme, ai e pranon se Shtetet e Bashkuara duhet të braktisin rolin e “policit të botës”.

Por nga ana tjetër, synon të ndërhyjë dhunshëm kudo ku kërcënohen interesat e tyre, duke e parë hemisferën perëndimore si një hapësirë nën tutelën e plotë amerikane. Elektorati i Trump-it përbëhet nga klasa punëtore dhe e mesme në revoltë kundër elitës që i përçmon.

Ata janë kryesisht nacionalistë dhe izolacionistë. Ajo që e dallon këtë lëvizje është atmosfera fetare dhe biblike. Ndjekësit e tij tregojnë një besnikëri pothuajse të verbër e fetare ndaj udhëheqësit, duke e parë atë si shpëtimtarin e vetëm.

Në nivelin e mendimit, Trump mbështetet nga dy grupe të ndryshme: katolikët post-liberalë dhe tekno-futuristët e Silicon Valley. Katolikët ofrojnë rrafshin teorik duke kritikuar individualizmin dhe liberalizmin, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të mirën e përbashkët.

Ndërkaq, tekno-futuristët (si Elon Musk apo Peter Thiel) janë libertarianë që ëndërrojnë pavdekësinë dhe kapërcimin e njerëzimit përmes teknologjisë. Ata duan ta zhdukin demokracinë dhe ta zëvendësojnë shtetin me një tekno-monarki apo korporatë, ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale zgjidhin çdo problem.

Për të djathtën evropiane ekziston një tundim i madh për ta parë Trump-it si mentor apo aleat. Por ky është një vizion naiv. Parulla “Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”, ka të bëjë vetëm me Amerikën.

Interesat e tyre janë strukturalisht të ndryshme, madje të kundërta. Evropa mund ta rifitojë fuqinë e saj vetëm duke pushuar së qeni një vasale e Amerikës. Në sistemin e tij nuk ka vend për një Evropë krenare dhe autonome; strategjia e tij synon ta mbajë atë të varur dhe të ndarë.

Historikisht, sulmet kryesore ndaj vendeve si Franca në pesëdhjetë vitet e fundit (spiunazhi industrial, gjobat ndaj bankave, izolimi diplomatik) kanë ardhur nga Uashingtoni. Trump thjesht po vepron si paraardhësit e tij, por në mënyrë të hapur.

Kushdo që e mbron atë verbërisht në Evropë, po vendos veten në kampin e armikut. Donald Trump nuk është simboli i një Amerike ngadhënjyese, por përfaqësuesi i një fuqie në rënie të lirë, ekonomia e së cilës po humb peshë në rrafshin botëror dhe ushtria e së cilës nuk ka korrur asnjë fitore të vërtetë që nga viti 1945.

Megjithatë, Trump ka diçka pozitive: ai heq maskën e hipokrizisë nga marrëdhëniet ndërkombëtare, duke treguar se fuqia dhe vendimmarrja peshojnë më shumë se moralizimet e kota. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit