E mërkurë, 20 Maj 2026

Apeli i Dario Carotenutos: “Një rrëmbim masiv, duhen sanksione…!”
“Për sa kohë na lejojnë të vazhdojmë, do të ecim drejt Gazës. Por e dimë se mund të mbërrijnë në çdo moment…”. Kjo është deklarata telefonike e Dario Carotenuto, deputet i Movimento 5 Stelle, rreth orës 14:00 të së hënës, nga bordi i anijes Kasr Sadabat me flamur turk.
Ajo ishte e vetmja nga dhjetë anijet e Flotiljes Sumud që vazhdonte ende lundrimin drejt Gazës. Në mbrëmje, anija u ndalua nga forcat izraelite, të cilat, sipas autoriteteve italiane, përdorën edhe armë zjarri, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.
Sipas të dhënave zyrtare, janë 29 shtetas italianë mes qindra të arrestuarve në kuadër të misionit simbolik humanitar ndërkombëtar të Flotiljes Sumud. Midis tyre ndodhet edhe aktivisti musliman shqiptar Baki Goxhaj. Në këtë intervistë, Carotenuto denoncon sjelljen brutale të qeverisë izraelite dhe kërkon vendosjen e sanksioneve ndëshkuese.
A ju jep kurajë dënimi i qartë ndaj sjelljes së ushtrisë izraelite, edhe nga qeveria italiane?
Mua më duket se atmosfera ka ndryshuar. Askush nuk e konsideron të pranueshme atë që po bën Benjamin Netanyahu. Pastaj ka tone të ndryshme në dënim. E djathta është më e kujdesshme, por gjithsesi ka një qëndrim më të fortë krahasuar me të kaluarën.
A ndiheni të mbështetur dhe të mbrojtur?
Nëse do të kishim një fregatë italiane që të na shoqëronte këtu, në ujërat ndërkombëtare, do të ndiheshim më të sigurt. Kjo ndoshta do t’i kishte penguar këto akte piraterie. Në përgjithësi, do të doja që fjalët të shoqëroheshin me veprime.
Çfarë duhet të bëjë qeveria italiane?
Përveçse të kërkojë lirimin e të gjithë aktivistëve të ndaluar, pres më shumë autoritet në marrjen e një qëndrimi politik. Për shembull, duke u rreshtuar me vendet evropiane që kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj qeverisë izraelite dhe ndaj ministrave që deklarojnë se duan të zhdukin palestinezët nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor.
Ju flisni për ‘aktivistë të rrëmbyer’. A është Izraeli përgjegjës për një rrëmbim masiv?
Nuk shoh mënyrë tjetër për ta përkufizuar atë që ndodhi në ujëra ndërkombëtare, dhe dua ta theksoj këtë.
A do të ndryshonin gjë sanksionet?
Sanksionet janë një hap i parë i domosdoshëm. Kundër Rusisë ato u vendosën menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa ndaj Izraelit prej dy vitesh nuk bëhet asgjë, pavarësisht gjenocidit që është kryer dhe po vazhdon të kryhet në Gaza.
Pse është gjithsesi e rëndësishme ajo që po bëni?
Sepse nuk mund të rrish i palëvizur duke parë vuajtjen e një populli të lënë pa ushqim dhe pa ilaçe. Fëmijë të detyruar të jetojnë mes minjve, pa asnjë të ardhme. Ne jemi në det për ta, që askush të mos i harrojë.
Rrezikoni të përfundoni në një burg izraelit…
Këtë e kemi marrë parasysh. Shfrytëzoj rastin për t’u bërë edhe një herë thirrje autoriteteve italiane dhe ndërkombëtare: ndërhyni menjëherë, me të gjitha mjetet e presionit, për të siguruar lirimin e aktivistëve.
Ata janë paqësorë, jo të dhunshëm dhe nuk kanë kryer asnjë krim. Ata duan vetëm fundin e gjenocidit në Palestinë. Duhet t’i thuhet Netanyahut se duhet të ndalet, përndryshe do të vazhdojë të bëjë çfarë të dojë. Dhe ne do të jemi të radhës. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
