E martë, 24 Mars 2020
PRISHTINË – Dy raste të reja me coronavirus janë konfirmuar në Kosovë.Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti të gjinisë femër, njëra me vendbanim në fshatin Vrapçiç-Gjilan e moshës 25 vjeçe dhe tjetra me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri e moshës 73 vjeçe.
“Sot me 24.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar katërdhjetë e dy (42) mostra të marra në hulumtim të personave që kanë qenë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara dhe të gjithë kanë qenë në vetë izolim, si dhe rasteve të shtrira në Klinikën Infektive. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, dy (2) prej prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.
“Nga data 08.02.2020 deri me 24.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 732 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej gjashtëdhjetë e tre (63) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, thuhet më tej në komunikatë.
Etiketa: Aktuale, Coronavirus, Kosovë