Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë


E hënë, 11 Maj 2026
Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

Asnjë nga 27 subjektet politike që synojnë të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ende nuk e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se deri të hënën në orën 14:00 nuk është pranuar asnjë aplikim online nga subjektet politike për certifikim në zgjedhjet parlamentare.

Sipas Elezit, tashmë ka përfunduar afati për deklarimin e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe për regjistrimin e koalicioneve. Ai bëri të ditur se në total janë 27 subjekte politike që synojnë të jenë pjesë e garës zgjedhore.

Në këtë listë përfshihen 22 parti politike, tre koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Pas përfundimit të procesit të certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike, KQZ-ja pritet të organizojë shortin për renditjen e tyre në fletëvotim për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Deri më tani (e hënë, 11 maj 2026, ora 14:00) asnjë nga 27 subjektet politike nuk ka dorëzuar online listën e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë përfundon më 12 maj.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit