Trump mbron reagimin e SHBA-së ndaj hantavirusit dhe tërheqjen nga OBSH-ja


E hënë, 11 Maj 2026
Trump mbron reagimin e SHBA-së ndaj hantavirusit dhe tërheqjen nga OBSH-ja

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur tërheqjen e Washingtonit nga Organizata Botërore e Shëndertësisë (OBSH), për të cilën kritikët thonë se çoi në një reagim të vonuar ndaj një shpërthimi të fundit të hantavirusit në një anije turistike në Oqeanin Atlantik, transmeton Anadolu.

“Nuk po trajtoheshim mirë dhe ata po bënin diagnozën e gabuar”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse pendohej për largimin e SHBA-së nga OBSH-ja, të cilën ai e akuzoi se ishte tepër e ndikuar nga Kina gjatë pandemisë COVID-19.

Trump argumentoi se SHBA-ja kontribuonte në OBSH më shumë se vendet e tjera, veçanërisht Pekini.

“Ne po paguanim për, le të themi, 350 milionë njerëz. Po paguanim 500 milionë dollarë në vit, ndërsa Kina po paguante 39 milionë dollarë në vit për 1.4 miliardë njerëz”, tha Trump.

Trump gjithashtu përsëriti kritikat ndaj mënyrës se si organizata menaxhoi pandeminë e koronavirusit COVID-19.

“Për COVID-in, ata ishin plotësisht gabim”, tha ai.

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për tërheqjen e SHBA-së nga OBSH-ja kur nisi mandatin e tij të dytë në janar të vitit të kaluar.

Duke folur për hantavirusin, Trump theksoi se patogjeni “nuk përhapet lehtë”.

“Ne kemi jetuar me të prej vitesh, shumë vitesh dhe mendojmë se jemi në gjendje shumë të mirë. Jemi shumë të kujdesshëm dhe Nebraska ka bërë një punë fantastike”, shtoi ai.

Sot, zyrtarët shëndetësorë në shtetin amerikan Nebraska thanë se 18 amerikanë u evakuuan në mënyrë të sigurt nga anija me flamur holandez MV Hondius pas një shpërthimi të hantavirusit në bord.

Admirali Brian Christine, ndihmës sekretar për shëndetësi dhe drejtues i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së, tha se rreziku që paraqet virusi për publikun e gjerë mbetet minimal.

“Më lejoni të jem shumë i qartë, rreziku i hantavirusit për publikun e gjerë mbetet shumë, shumë i ulët. Varianti Andes i këtij virusi nuk përhapet lehtë dhe kërkon kontakt të zgjatur e të afërt me dikë që tashmë ka simptoma”, tha Christine.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit