Europa drejt mbylljes së radhës


E mërkurë, 16 Dhjetor 2020

Holanda në karantinë, masa shtrënguese edhe Londra

Pas Gjermanisë, Holanda do të vendosë një karantinë kombëtare për rreth 5 javë për shkak të rritjes së rasteve më vdekshmërisë. Hapur do të qëndrojnë vetëm supermarketet dhe farmacitë.

Ndërkaq bizneset, palestrat, shkollat, muzetë do të qëndrojnë të mbyllura. Karantina do të zgjasë deri në datën 19 Janar. Kryeministri, Mark Rutte u ka bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë gjatë periudhës së festave.

Njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin vizitat në shtëpitë e njëri-tjetrit. Aktualisht në Holandë janë regjistruar mbi 621 mijë të infektuar dhe 10 mijë persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Gjithashtu edhe Londra do të kalojë në nivelin më të lartë të kufizimeve të koronavirusit. Duke filluar nga e mërkura masat e reja shtrënguese parashikojnë që kryeqyteti britanik të kalojë në një izolim të dytë.

Restorantet, baret, bizneset do të qëndrojnë të mbyllura. Udhëtimet janë të mbyllura për shkak të festave. Kufizimet përfshijnë edhe ndalimin e tifozëve në stadiume dhe vendet e tjera sportive, si edhe mbylljen e teatrove.

Po ashtu edhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka vendosur që të aplikojë një karantinë kombëtare. Duke filluar nga 31 Dhjetori e deri në 4 Janar vendi do të izolohet. Çdo gjë do të qëndrojë e mbyllur përfshirë edhe udhëtimet nga një qytet në tjetrin.

Agjencia Evropiane e Barnave ka dhënë dritën jeshile që në Spanjë vaksinimi anti-Covid të fillojë në 4 ose 5 Janar. Qëllimi është që të testohen 270,000 banorë në 5 ditë. Numri i të infektuarëve në Spanjë ka shkuar në 1.7 milionë dhe 48 mijë kanë humbur jetën.

Qeveria greke ka bërë të ditur se do të hapë kishat për festën e Krishtlindjeve. Shtetrrethimi nga ora 22:00 e deri në 05:00 të mëngjesit do të mbetet edhe gjatë festave. Ndërkaq izolimi kombëtar do të përfundojë në 7 Janar.

Covid-19 e ka çuar totalin e të infektuarve 73.2 milionë, nga ku 1.6 milionë kanë humbur jetën që kur virusi shpërtheu në pranverë.

Klan Plus

Etiketa: ,
Të fundit