Flotilja Sumud: pse Netanyahu-n e tmerron simbolika?


E martë, 19 Maj 2026
Flotilja Sumud: pse Netanyahu-n e tmerron simbolika?

Kur prangat e një ushtrie tregojnë frikën nga ndërgjegjja e lirë botërore

Ka një lloj frike që armët më të rënda dhe teknologjia më e lartë ushtarake nuk e mposhtin dot: frika nga e vërteta e zhveshur. Arrestimi të hënën i dhjetëra aktivistëve të flotiljes “Sumud” nga marina izraelite, mes të cilëve edhe i aktivistit musliman shqiptar Baki Goxhaj, është dëshmia më e pastër e këtij tmerri.

Një shtet i armatosur deri në dhëmbë, i pajisur me mjetet më tmerruese të luftës moderne, rrethon dhe prangos njerëz të thjeshtë që lundrojnë me mjetin e vetëm që u ka mbetur: ndërgjegjen e pastër njerëzore.

Po përse Benjamin Netanyahu dhe makineria e tij tmerrohen nga një mision kaq simbolik? Sepse simbolika është gjuha e vetme që tirania nuk mund ta fshijë, ta korruptojë apo ta bombardojë.

Flotilja “Sumud”- një fjalë që në arabisht do të thotë qëndresë e palëkundur – nuk mbante në bord raketa por shpresë, solidaritet dhe dinjitet. Kur Baki Goxhaj dhe kolegët e tij ndërkombëtarë u nisën drejt brigjeve të rrethuara të Gazës, ata nuk po sfidonin thjesht një bllokadë ushtarake.

Përkundrazi, po sfidonin narrativën e harresës. Ata po i tregonin botës se Gaza nuk është vetëm një fushërrënojë e izoluar, por një plagë e hapur në ndërgjegjen e mbarë njerëzimit.

Tirania mund të kontrollojë territoret, por tmerrohet kur e kupton se nuk mund të kontrollojë dot shpirtrat e lirë. Për një udhëheqës që e mban pushtetin përmes frikës dhe forcës brutale, prania e një shqiptari, e një evropiani, e një aktivisti të paqes në ato ujëra është një makth politik.

Ajo dëshmon se kauza e Gazës ka thyer kufijtë fetarë, gjeografikë dhe etnikë. Ajo tregon se dhimbja e një fëmije në Palestinë, jehon njëlloj në zemrën e një shqiptari në Ballkan, ashtu si në çdo cep të globit ku rreh ende një fije humanizmi.

Arrestimi i tyre nuk është shenjë fuqie, por një akt i dëshpëruar frike. Është përpjekja e kotë për të mbytur një dritë që ekspozon errësirën e një rrethimi mizor.

Sionistët mund t’i ndalojnë anijet, mund të prangosin aktivistët si Bakiu dhe t’i mbyllin përkohësisht në qeli, por nuk mund ta prangosin mesazhin. Ky arrestim thjesht vulosi dështimin e tyne moral.

Çdo prangë e shtrënguar mbi duart e këtyre misionarëve, është një dëshmi e lirisë së tyre të brendshme dhe një thirrje që zgjon të fjeturit.

Sepse simbolika e “Sumud-it” ka mbërritur tashmë në destinacion: ajo e çau bllokadën e heshtjes dhe u tregoi të gjithëve se kur bota mbyll sytë, njerëzit e thjeshtë guxojnë të lundrojnë drejt dritës. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit