E enjte, 28 Maj 2026

Përplasje e ashpër mes Tel Avivit dhe OKB-së për shkak të raportit tronditës
Përplasja mes zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe Izraelit ka arritur kulmin.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, njoftoi se Jerusalemi do të pezullojë çdo bashkëpunim me zyrën e Guterres, pas vendimit – ende të pakonfirmuar zyrtarisht – për ta përfshirë Izraelin në listën e subjekteve përgjegjëse për dhunë seksuale në zonat e konfliktit.
Lajmi u publikua fillimisht nga “Times of Israel”. Reagimi i Tel Avivit ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. “Një vendim politik, i shkëputur nga faktet dhe realiteti”, shkroi Danon në platformën X (ish-Twitter), duke kundërshtuar akuzat që, sipas burimeve izraelite, do të përfshihen në raportin e ardhshëm vjetor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Dokumenti ende nuk është bërë publik. “Kushdo që vendos Izraelin në të njëjtën listë me terroristët dhe përdhunuesit e Hamasit nuk ka asnjë legjitimitet moral për të kërkuar bashkëpunim” – deklaroi Danon, duke konfirmuar ngrirjen e marrëdhënieve me zyrën e Guterres.
“Izraeli do të presë derisa të marrë detyrën një sekretar i përgjithshëm profesionist dhe i drejtë”- shtoi ai.
Guterres, mandati i të cilit përfundon në fund të këtij viti, nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj vendimit izraelit. Më 11 maj, editorialisti i njohur i “New York Times”, Nicholas Kristof, publikoi në rubrikën e opinioneve një investigim të dokumentuar në detaje, me titull “Heshtja që shoqëron përdhunimin e palestinezëve”.
Në artikull, Kristof intervistoi katërmbëdhjetë palestinezë të mbijetuar – burra, gra dhe edhe fëmijë – të cilët rrëfyen për përdhunime, abuzime seksuale dhe tortura sistematike të kryera, sipas tyre, nga roje burgjesh, ushtarë dhe hetues izraelitë.
Investigimi citon gjithashtu raporte të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke përshkruar një situatë ku dhuna seksuale ndaj të burgosurve palestinezë pretendohet se është kthyer në një “procedurë standarde operative”.
Tel Avivi reagoi ashpër edhe ndaj investigimit të Kristof, duke e cilësuar atë si “një nga gënjeshtrat më të tmerrshme dhe më të shtrembëruara të publikuara ndonjëherë kundër shtetit të Izraelit në shtypin modern”, ndërsa paralajmëroi edhe ngritjen e një padie ndaj gazetarit.
Megjithatë, mbetet e paqartë se si mund të procedohet juridikisht, pasi një qeveri e huaj nuk mund të ngrejë lehtësisht një padi për shpifje ndaj një gazetari apo individi privat. Për më tepër, duke iu drejtuar juridiksionit të një gjykate amerikane, Izraeli do të detyrohej të hiqte dorë, të paktën pjesërisht, nga imuniteti i tij sovran. /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
