Gjukaj: “Kosova B” mund të funksionojë vetëm tetë orë pa ujin e Ujmanit


E shtunë, 1 Gusht 2015

Kosova edhe në ditët e verës është duke u përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Kjo krizë energjetike pritet të vazhdojë dëri në ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”, projekti i cili ende nuk ka filluar. Kështu thotë drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj.

Në një intervistë për KosovaPress, Gjukaj thotë se hetimet mbi eksplodimin më 6 qershor 2014, ku humbën jetën dy punëtorë të KEK-ut, janë duke vazhduar nga policia. Kurse, TC “Kosova B”, sipas tij, mund të funksionojë vetëm tetë orë pa ujin e liqenit të Ujmanit.

Bisedimet e fundit në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, Gjukaj thotë se ishin kryesisht për Ujmanin dhe nuk ka ujdi për të.

Arben Gjukaj vazhdon të jetë në krye të KEK-ut që nga ardhja e qeverisë Thaçi në vitin 2008 dhe KEK-u, asnjëherë nuk ka shpallë konkurs për ketë pozitë.

Për dështimin me furnizim të rregullt me energji elektrike, ai thotë se janë dy probleme të cilat ndikojnë negativisht.

“Ka mungesë të kapaciteteve gjeneruese për arsye se Kosova ka një deficit të prodhimit në krahasim me konsumin e vendit. Diku në sezonin e dimrit në bazë të shënimeve para dy viteve kemi pasur 400 megavat mungesë. Por edhe… njësite gjeneruese konkretisht “Kosova A” ka mbushur mbi 45 vjet, ndërsa ‘Kosova B’ 35 vjet. Të dyja këto janë probleme që e përcjellin sektorin e energjisë elektrike në përgjithësi”, tha Gjukaj.

Për drejtorin e KEK-ut, plan rezervë për furnizim me energji elektrike janë dy projekte të cilat duhet të vazhdohen.

“Kosova i ka të instaluar diku 850 megavat(MËH), ndërsa konsumin në kohë të pikut ose gjatë dimrit që kërkesa është më e madhe për energji elektrike është aferë 1400 megavat. Janë dy projekte të cilat po vazhdojnë. Projekti i parë edhe pse nuk janë në menaxhimin dhe kontrollin e KEK-ut është projekti i “Kosovës së re”, dhe ideja ose ajo që ne gjatë gjithë kohës që kemi ngritur si shqetësim është rigjenerimi i TC “Kosovës A” që pak a shumë i adresojmë çështjet ose t’i kemi si zgjidhje afat gjate në sektorin e energjisë”, tha Gjukaj.

Edhe pse ka rekomandime nga Komisioni Evropian për mbylljen e “Kosova A”, Gjukaj thotë më mirë ësh të të rigjenerohet.

“Këtë nuk e di dhe kjo i adresohet aksionarit për arsye se ne menaxhojmë me asete, ndërsa nuk jemi vendimmarrës por jemi vetëm menaxhues të asetevetë cilat operojnë. Aksionar i KEK është Qeveria e Kosovës 100 për qind”, tha Gjukaj.

I pari i kësaj korporate për hetimet e pretenduara ndaj tij për korrupsion, thotë se ka qenë dhe do të jetë i hapur për çdo hetim.

“Unë nuk mund të prononcohem për një çështje që është tani në publik. Kam qenë dhe do të mbetem i hapur për çdo hetim dhe për çdo bashkëpunim me organet përkatëse”, thotë Gjukaj.

Drejtori Gjukaj vazhdon të jetë në krye të KEK qe një kohë të gjatë. Që nga ardhja e tij në vitin 2008 KEK, asnjëherë nuk ka shpallë konkurs sipas ligjit dhe kontratat janë 3 vjeçare. Ndonëse burime të KosovaPress-it, mësojnë s ë bordi i ka vazhduar kontratën pa afat, Gjukaj thotë se kontrata e tij nuk është e përhershme, por siç thotë ai kontrata është mbi bazën e performancës.

“Kontrata ime është kontratë mbi bazën e performancës. Performanca ime vlerësohet nga Bordi i drejtorëve dhe në momentin që unë nuk kam performancë unë do ta lë punën”, tha drejtori aktual i KEK Gjukaj.

Emërimi i Gjukës 7 vjet më parë nga qeveria Thaçi duket se nuk është duke i pëlqyer qeverisë pasi kryeministri Isa Mustafa ende nuk ka bërë asnjë vizitë në këtë korporatë, përveç se ka komentuar reduktimet e fundit të energjisë, duke thënë se Kosova nuk ka kapacitetete të mjaftueshme për furnizim të rregullt më energji.

“Raportet tona janë raporte korrekte dhe në kuadër të saj ne bëjmë raportimet që i kemi javore, kuartale dhe mujore. Bor di i drejtorëve është përfaqësues i aksionareve në këtë drejtim”, tha Gjukaj.

Kurse, lidhur me aksidentin me fatalitet në KEK, Gjukaj thotë se ende nuk janë zbardhur hetimet në tërësi.

“Në bazë të informatave ende gjendet nën monitorim dhe kontroll të organeve shtetërore përkatëse për hetimet e mëtutjeshme. Ne nga ana e KEK kemi bërë një raport në aspektin operativ dhe ai raport ka qenë i disponueshëm apo 30 ditë mbasi ka ndodhur avaria. Unë mund të konfirmoj se organet përkatëse janë duke vazhduar hetimet për arsye se ka kontakte të kohëpaskohshme dhe në çfarë faze dhe deri ku ka mbërri nuk jam në dijeni”, tha Gjukaj.

TC “Kosova B”, mund të funksionojë vetëm tetë orë pa ujin e liqenit të Ujmanit, pasi sipas Gjukajt ky bllok është i dizajnuar si i tillë.

Ai tha se fatkeqësisht alternativë tjetër nuk ka. Bisedimet e fundit në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, sipas tij, ishin kryesisht për Ujmanin dhe nuk ka ujdi për të.

“Fatkeqësisht alternativ tjetër nuk kemi për arsye se vet dizajni ose projekti, flas për ‘Kosovën B’ është i dizajnuar i tillë që të marrin ujin përmes kanalit të Iber Lepencit që merret uji nga liqeni i Ujmanit. Ne mund të qëndrojmë ose të operojmë vetëm 8 ore dhe mbas tetë orëve nëse nuk kemi uji të mjaftueshëm në bazë dizajnit dhe të planit i cili është bërë në vitet e 80-ta, ne nuk mund të prodhojmë me ketë njësi. Ndërsa, për TC ‘Kosova A’ ne ujin e marrim përmes lumit Llap ose pendës së Batllavës. Pra, as që mendohet të funksionojë pa marrjen e ujit prej Ujmanit”, tha Gjukaj.

Drejtori i KEK-ut ka folur edhe për borxhet që i kanë mbetur konsumatorët rreth 250 milionë euro, pa llogaritur veriun dhe enklavat në Kosovë.

Ai thotë se deri më tani kanë vetëm një njoftim, jo edhe zyrtarisht dhe nuk e dinë se deri në cilën fazë ka mbërri komisioni për faljen e borxheve. KEK ka trashëguar deri në maj 2013 edhe pjesën e distribuimit ose faturimit dhe ai borxh, sipas tij, është diku afër 240 milionë euro por një pjese tij e madhe mbi 80 për qind është adresuar përmes gjykatave. Borxhi i përgjithshëm që nga pas lufta duke përfshirë edhe enklavat për pjesën jugore dhe veriore ku janë faturuar, llogaritet të jetë 380 ose 400 milionë euro.

Gjukaj thotë se borxhe tek konsumatorët e vegjël ka më së shumti. KEK-ut ende nuk i ka ardhur zyrtarisht vendimi dhe nuk e di as shumën e atyre borxheve që do të falen dhe kujt do t’i falen.

Etiketa: ,
Të fundit