E hënë, 11 Maj 2026

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq tha sot në Bruksel se mesazhi kyç i Serbisë në takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Evropian (BE) dhe të Ballkanit Perëndimor është se Evropa duhet të përshpejtojë procesin e integrimeve dhe të hapë sa më shpejt zonën Shengen për rajonin e Ballkanit, raporton Anadolu.
“Është frustruese që kemi kufij të fortë çdo 150 deri në 200 kilometra që fjalë për fjalë e ndërpresin qarkullimin dhe jetën e njerëzve, familjeve, por edhe ekonomisë, turizmit, gjithçkaje tjetër, dhe nuk ka asnjë arsye që Evropa tashmë këtë verë të mos mundësojë zhbllokimin e potencialit të plotë të përfshirjes së rajonit tonë në Shengen”, tha Gjuriq për gazetarët në Bruksel.
Sipas tij, hapja e potencialit të plotë të Shengenit në rajon do të sillte drejtpërdrejt 50 miliardë euro aktivitet të ri ekonomik dhe nuk do të ulte sigurinë e BE-së dhe të gjithë kontinentit.
“Shpresoj që procesi ynë i integrimit evropian do të vazhdojë të përparojë, pavarësisht të gjitha presioneve ideologjike dhe ndonjëherë të motivuara politikisht, ndaj të cilave vendi ynë shpesh është i ekspozuar nga disa qendra”, tha Gjuriq.
Duke folur për temat e takimit, ai vlerësoi se “duhet të përshtatemi me rrethanat globale” që, sipas tij, janë vërtet pa precedent.
Gjuriq theksoi se Serbia dallon mes shteteve që ende nuk janë anëtare të BE-së, për karakteristikat ekonomike, demografike dhe gjeopolitike si një vend që ka 53 për qind të ekonomisë rajonale dhe si një vend që po rritet më shpejt ekonomikisht në më shumë se një dekadë.
Ai shtoi se në takim ka folur edhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), ku, siç tha, është përpjekur në mënyrë të denjë të mbrojë interesin serb nga ata që duan ta paraqesin vetëm entitetin e Republikës Sërpska si fajtorin kryesor për marrëdhëniet e vështira të brendshme në BeH.
“Serbia ka qenë gjithmonë në anën e stabilitetit, gjithmonë dhe mbetet në anën e Marrëveshjes së Dejtonit, por Serbia qëndron më fort në qëndrimin se popujt në BeH duhet të jenë ata që përcaktojnë fatin e këtij shteti, jo kushdo nga jashtë”, tha ai.
“Përsëris, Serbia ka treguar në tre dekadat e fundit sa kontribuon në këtë normalizim marrëdhëniesh, duke parandaluar në një farë mënyre që gjërat të dalin jashtë kontrollit, të paktën kur bëhet fjalë për atë mbi të cilën ne mund të ndikojmë”, shtoi Gjuriq.
Ai shtoi se gjatë takimit është diskutuar edhe për çështje të tjera të hapura në rajon si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë, duke theksuar se ka rikujtuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është formuar prej më shumë se një dekade, një obligim i nënshkruar dhe i dakorduar në Bruksel.
“Kam qenë edhe dëshmitar i kësaj më 19 prill 2013. Përfaqësuesit e Prishtinës janë përpjekur ta fajësojnë Serbinë për probleme të ndryshme rajonale dhe ta paraqesin si burim të paqëndrueshmërisë në rajonin tonë”, tha Gjuriq.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
