E shtunë, 20 Gusht 2016
Beograd – Porositë, të cilat i ka dhënë nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë vizitës në Kosovë, lidhur me formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, janë trimëruese, ka thënë shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.
Në një bisedë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Gjuriq ka theksuar se tashmë nga Prishtina priten më shumë vepra se sa fjalë, kur bëhet fjalë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mendoj që në periudhën e ardhshme, kjo është shumë e rëndësishme për drejtpeshimin e zbatimit të marrëveshjes dhe për përparimin e mëtejmë të normalizimit. Madje, mund të them se kushti, pa të cilin nuk mund të shënohet përparim i marrëdhënieve, është zbatimi i marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe”, ka theksuar Gjuriq.
Duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se në takimin e fundit ndërmjet palës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është biseduar vetëm për çështjen e telefonisë dhe prefiksit për Kosovën dhe jo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Gjuriq ka thënë se për çështjen e Asociacionit ka biseduar vetëm me delegacionin e Bashkimit Evropian, në mënyrë mjaft të detajuar.
Ndërkaq, për çështjen e telekomunikimit, ai ka thënë se është në interesin e Serbisë që marrëveshja të zbatohet sa më parë.
“Fundja, është edhe në interesin tonë që Telekomi i Serbisë të punojë në mënyrë të papenguar në gjithë territorin e Kosovës dhe që qytetarët t’i përdorin telefonat e tyre pa pengesa dhe në distanca më të largëta pa ndonjë prefiks dhe pa shpenzime shtesë”.
“Ne nuk e kemi problem as numrin e prefiksit, pasi që ai është i zgjidhur në atë mënyrë që nuk e rrezikon pozicionin statusor. Do të thotë, Serbia do ta kërkonte edhe një prefiks shtesë, sipas modelit që ekziston ndërmjet Kinës dhe Tajvanit ose Britanisë së Madhe dhe Ishujve Fokland. Fatkeqësisht, për faktin se na është kërkuar që pasuria e Telekomit të Serbisë, e cila është ndërtuar që nga viti 1999,t’i dorëzohet Prishtinës, nuk kemi mundur që të arrijmë marrëveshje në këtë raund”, ka thënë Gjuriq.
Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë edhe më tej, sepse në këtë fushë ende janë disa çështje të hapura, ndonëse lidhur me çështjen e telekomunikimit, janë zgjidhur më shumë se katër sosh.
Gjuriq ka deklaruar se edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” mbi këtë urë, për të cilën Bashkimi Evropian ka investuar rreth 1. 2 milionë euro, nuk do të ndodhë përderisa rruga “Mbreti Petar” të shndërrohet në zonë për këmbësorë, në mënyrë që trafiku të zhvillohet vetëm në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve dhe fshatit Suhodoll dhe jo drejt qendrës së Mitrovicës së veriut.
Gjithashtu, deklaratat e autoriteteve të Kosovës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet pa zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe pa shpërbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, Gjuriq i sheh si ikje nga obligimet që janë marrë në Bruksel.
“Mjafton që të hedhësh shikimin në tekst dhe në marrëveshjen e parë për normalizim të marrëdhënieve, por edhe në marrëveshjet e mëvonshme që kanë të bëjnë me Bashkësinë e komunave serbe, sikurse marrëveshja e 25 gushtit ( e vitit 2015), ku bëhet fjalë për marrëveshje të konfirmuara nga përfaqësuesit e lartë të të dyja palëve”.
“Pra, do ta shihni se në to askund nuk përmendet kurrfarë shuarje e çfarëdo institucioneve, të cilat ata i quajnë paralele dhe ngjashëm. Për më shumë, jo në kontekstin e çfarëdo kushtëzimi për obligimet që ka Prishtina. Pra, ata po shpikin kushte jo ekzistuese, të cilat askund nuk mund t’i argumentojnë, as në letër e as në përmbajtjen e bisedimeve të tilla”.
“Mendoj që kjo është një nga arsyet pse e kemi dëgjuar nënpresidentin Biden të flasë aq qartë dhe pa dykuptimësi në Prishtinë dhe të porosisë që pa formimin e Bashkësisë së komunave serbe, Prishtina nuk mund të llogaritë në mbështetjen e mëtejshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkësinë ndërkombëtare”, ka theksuar Gjuriq.
Ai ka komentuar edhe çështjen e obstruksioneve të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke thënë se Serbia po lufton për veten e saj dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
“Kjo luftë nuk do të ndalet. Megjithatë, ajo nuk do të na pengojë që të bisedojmë me Prishtinën dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Më duhet ta theksoj keqardhjen për faktin që Prishtina, pavarësisht asaj që në vitin 2012 kemi hyrë në dialog të nivelit të lartë politik dhe jemi marrë vesh qartë dhe pa mëdyshje se për të gjitha çështjet e hapura do të bisedojmë në tavolinë në Bruksel, ajo ka vendosur që ta luajë një lloj loje në skenën ndërkombëtare dhe të tentojë, sikurse ishte tentimi i pasuksesshëm i anëtarësimit në UNESCO, që me dhunë dhe pa marrëveshje me Beogradin, të marrë pozicion në bashkësinë ndërkombëtare”.
“Kjo, në një mënyrë ndikon keq edhe në vetë dialogun, për faktin se dialogu ka kuptim kur problemet dhe çështjet e hapura zgjidhen në tavolinë dhe jo me veprime nën tavolinë dhe pas shpine, gjë që vetëm i ngrit tensionet ndërmjet nesh”, është shprehur Gjuriq.
Megjithatë, ai i ka vlerësuar marrëdhëniet e biznesit ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, për të cilat, sipas tij, merita të mëdha kanë dy odat ekonomike, të Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, ai ka thënë se ftesa e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, nën një takim që pritet të mbahet në Nish, kah mesi i muajit tetor, do të jetë në funksion të zhvillimit të lidhjeve të biznesit, por edhe lidhjeve në sferat tjera të jetës.
Kjo sipas tij, do të kontribuojë në pengimin e përshkallëzimit të tensioneve dhe do t’i forcojë lidhjet ndërmjet njerëzve, gjë që, sipas tij, është parakusht themelor që edhe politika të orientohet kah e ardhmja dhe ndërtimi i marrëdhënieve shumë më të mira se sa që kanë qenë në të kaluarën.