E enjte, 14 Maj 2026

Gjykata kundër korrupsionit në Ukrainë ka urdhëruar arrestimin e ish-shefit të kabinetit të presidentit Volodymyr Zelenskyy, Andriy Yermak, për 60 ditë nën akuza për pastrim parash, transmeton Anadolu.
Sipas vendimit të publikuar nga gjykata, garancia është vendosur në 140 milionë hryvnia (rreth 3.1 milionë dollarë).
Yermak u akuzua zyrtarisht në muajin maj për pastrim të pasurisë së përfituar nga veprimtari kriminale dhe ai mund të përballet me deri në 15 vite burg nëse shpallet fajtor.
Duke folur gjatë seancës, Yermak tha se ekipi i tij ligjor do ta apelojë vendimin për masën e paraburgimit.
Ai gjithashtu tha se nuk kishte fonde për të paguar garancinë vetë, por kishte “mjaft të njohur dhe miq” që mund ta bënin këtë në emër të tij.
Gjykata vendosi që nëse paguhet garancia, Yermak do të pajiset me byzylyk elektronik monitorimi dhe do të ndalohet të largohet nga Kievi. Ai gjithashtu do të detyrohet të dorëzojë pasaportat e tij të huaja dhe diplomatike dhe të mos kontaktojë biznesmenin Timur Mindich, ish-zv/kryeministrin Oleksiy Chernyshov dhe dëshmitarë të tjerë.
Mbrojtja e cilësoi çështjen si “politikisht të motivuar”.
Yermak shërbeu si shef kabineti nga viti 2020 deri në vitin 2025, kur u shkarkua mes akuzave për korrupsion.
Raportimet mediatike e kanë lidhur Yermakun me skema të dyshuara korrupsioni të lidhura me biznesmenin Mindich, një figurë qendrore në hetimin ukrainas kundër korrupsionit të njohur si operacioni “Midas”.
Mindich dhe Zelenskyy janë bashkëpunëtorë dhe të njohur prej kohësh, të lidhur përmes kompanisë argëtuese Kvartal 95. Rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të lidhjeve të tyre profesionale afatgjata.
Agjencitë ukrainase kundër korrupsionit dyshojnë se Mindich është i përfshirë në një skemë të gjerë për përvetësim fondesh dhe marrje ryshfetesh të lidhura me kompaninë shtetërore të energjisë Energoatom. Sipas raportimeve mediatike, hetuesit pretendojnë se skema përfshin rreth 100 milionë dollarë. Mindich mohon çdo shkelje.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
