Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Heqja e kontrollit në kufi të mos dëmtojë procesin e liberalizimit për Kosovën

Prizren Post | 09:46 - 09.06.2018

Prishtinë – Shqipëria synon që me Kosovën të ketë liberalizim të procedurave në kufi mirëpo gjithnjë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian , në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave për këtë të fundit.

Kështu deklaroi Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi pas miratimit të rezolutës për heqjen e tërësishme të kontrollit të shtetasve të Kosovës dhe të Shqipërisë në hyrje/dalje, nëpër pikat e kalimit kufitar në Vërmicë, në Qafë Prush dhe në Qafë Morinë.

Miratimi i kësaj rezolute nga njohësit e integrimeve evropiane është cilësuar në kundërshtim me rekomandimin e vitit 2015, të Komisionit Evropian.

“Ajo që ne synojmë është që të kemi një liberalizim të mëtejshëm të procedurave në kufi pa prishur standardet e Bashkimit Evropian që kërkohen për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Minxhozi për Ekonomia Online.

Në të njëjtën ditë, Kuvendi ka miratuar edhe Rezolutën për heqjen e tarifave të roaming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, rezolutë kjo e cila, sipas Minxhozit do të ndikojë në zhvillimin e të dy vendeve.

Sipasj tij, asnjë rezolutë e nxjerrë nga parlamenti nuk është e dëmshme për proceset në të cilat një vend kalon.

Kreu i ambasadës shqiptare ka folur njëherësh edhe për mbledhjet mes dy qeverive. Ai tha se këto mbledhje kanë bërë që të rritet “impulsi i punës” në të dy anët e kufirit.

“…këto mbledhje i kanë dhënë një impuls punës dhe kjo shprehet edhe në rezultatet që janë arritur”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshjet e arritura kanë ndikuar në rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve në aspektin ekonomik.

Minxhozi ka bërë të ditur se për dallim nga periudha e njëjtë e viti të kaluar, këtë gjashtë mujor është shënuar rritje prej 20% në fushën e shkëmbimeve mes dy vendeve si rritje prej 23 % të prezencës së mallrave të Kosovës në tregun e Shqipërisë.

“Ne kemi një rritje marrëdhëniesh të ndërsjella në fushën e ekonomisë në fushën e shpërndarjes në fushën e shkëmbimeve. Në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria dhe Kosova sot që po flasim, në ditët e para të qershorit kemi një rritje prej 20% më tepër sesa vitin e kaluar shkëmbimet”.

”Mallrat e Kosovës kanë pasur një rritje në tregun e Shqipërisë, 23 % më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, edhe ato zëra që thonë se mallrat e Kosovës nuk akne të ardhme në Shqipëri nuk ekzistojnë sepse janë disa kompani që janë shumë brende që kanë kompanitë e pijeve kanë një rritje shumë të madhe në tregun e Shqipërisë, mineralet, hekuri e të tjerë me radhë, janë më tepër prezent”, tha ambasadori i Shqipërisë.


Etiketa:
Arivisti Company