Hoxhaj: Normalizim, vetëm pas njohjes nga Serbia [Video]


E shtunë, 8 Mars 2014

Berlin, 8 mars – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, zhvilloi një takim me deputetë të Bundestagut gjerman dhe personalitete të jetës publike në Gjermani.

Ministri Hoxhaj i informoi ata për dinamikën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Me këtë rast, ministri prezantoi pesë hapa, të cilët mundësojnë një normalizim të plotë dhe afatgjatë ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Sipas tij, pikënisja është që Serbia të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën.

“Së dyti, Serbia duhet të shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale paralele në Republikën e Kosovës. Së treti, të lejojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”, shtoi Hoxhaj.

Ai theksoi se, pika e katërt që Serbia duhet të plotësojë është mos bllokimi i Kosovës në anëtarësimin në organizata të ndryshime evropiane dhe në Kombet e Bashkuara.

“Së fundi, duhet të pasojë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Vetëm pas plotësimit të këtyre pesë kushteve, ne mund të flasim për normalizim të marrëdhënieve”, theksoi Hoxhaj, para shumë deputetëve të Bundestagut gjerman, të cilët mbi gjitha ishin të interesuar të dinë më shumë për dinamikën e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

[youtube MUvVxNEiwG0]

Hoxhaj kërkoi nga deputetët gjermanë, që Bundestagu të vazhdojë angazhimin në këtë proces.

Gjatë ditës, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar edhe me Emily Haber, sekretare e shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Haber kanë biseduar për procesin e liberalizimit të vizave.

Hoxhaj ka marrë mbështetjen e saj meqë ministritë e punëve të brendshme kanë një rol përcaktues në këtë proces.

Ministri Hoxhaj e ka falënderuar znj. Haber edhe për kontributin personal që ajo ka dhënë për Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri Hoxhaj dje është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili siguroi ministrin Hoxhaj se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj evropiane./zeri/

Etiketa: , ,
Të fundit