I nderuar Kryetar i VV-së Albin Kurti, nuk ka ekstremizëm islamik në Kosovë


E martë, 5 Qershor 2018

Autor: Gëzim KELMENDI

I nderuar Kryetar i VV-së Albin Kurti, dëgjova me vëmendje një pjesë të intervistës tënde në një medium të Shqipërisë.
Aty jeni përgjigjur në pyetjet e analistëve duke thënë se ekstremizmi islamik nuk është problemi i vetëm i Kosovës.
Ju më tutje keni vazhduar duke thënë se ekstremizmi islamik sipas renditjes është me numër 3 ose 4, dmth pas problemit me ndarjen e Mitrovicës dhe korrupsionit.
Shqetësimi im dhe këshilla ime për ju si njëri prej liderëve politik më të votuar qe keni dalur në zgjedhjet e fundit nacionale është që duhet ndarë islamin nga ekstremizmi.
Në Kosovë nuk ka ekstremizëm islamik.
Në Kosovë mund të ketë ekstremista, terrorista, pisa dhe kriminel të ndryshëm që përdorin fenë për qëllime të tyre.
Por asesi nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë ekstremizëm islamik.
Kjo për faktin se Islami është fe e paqes dhe e lufton ashpër çdo lloj forme te ekstremizmit.
I nderuar Kryetar i VV-së Albin Kurti, shpresoj që kjo këshilla ime të mos keq kuptohet nga ana juaj.
Unë e di që në zgjedhjet e fundit nacionale keni dalur lideri politik më i votuar në Kosovë.
Unë e di që gjatë fushatës keni përdorur disa parime Islame dhe luftën kundër islamofobisë.
Por është për habi se pas zgjedhjeve nuk jeni ai i para zgjedhjeve.
Zyrtarë të lartë të partisë suaj kanë fyer iftarin dhe besimtarët, kanë akuzuar hoxhallarët për financim nga Serbia.
Ju bëni thirrje për luftë kundër islamofobisë, por islamofobët më të mëdhenj në Kosovë vijnë nga Vetëvendosja.
Dhe për fund kam një pyetje për ju: pse heshtët ndaj deklaratave fyese të Kryeministrit Haradinaj i cili mohoj besimin islam të qytetarëve të Kosovës i cili tha se populli i Kosovës nuk është musliman ?
Pse heshtët?
A u frikësuat apo nuk merziteni fare për ofendimet që i bëhen popullit të Kosovës i cili është me shumicë islame mbi 95%.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: