IPK monitoron reagimin policor gjatë protestës, nis hetim preliminar për përdorimin e forcës


E martë, 6 Tetor 2026
IPK monitoron reagimin policor gjatë protestës, nis hetim preliminar për përdorimin e forcës

Inspektorati Policor i Kosovës ka monitoruar nga afër angazhimet dhe reagimin e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Sipas IPK-së, gjatë protestës janë përcjellë mënyra e menaxhimit të situatës, ndërveprimi i zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimi i forcës, si dhe përdorimi i pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

Në kuadër të këtij monitorimi, IPK ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarë të cilët kanë përcjellë në terren zhvillimet dhe veprimet e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar edhe një ankesë të përcjellë përmes Policisë së Kosovës. Në këtë ankesë, një qytetar pretendon se gjatë protestës ka pasur tejkalim të autorizimeve policore në përdorimin e forcës.

Bazuar në të dhënat e mbledhura gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar për të vlerësuar veprimet e zyrtarëve policorë gjatë menaxhimit të protestës.

IPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda mandatit të saj ligjor për të sqaruar rrethanat e rastit.

Pas përfundimit të hetimit preliminar dhe bazuar në gjetjet e tij, IPK-ja do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.

Inspektorati Policor i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit