Kallas thotë se zgjedhjet në Kosovë po shkaktojnë vonesa në dialog


E hënë, 11 Maj 2026
Kallas thotë se zgjedhjet në Kosovë po shkaktojnë vonesa në dialog

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se proceset e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e një raundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh.

Ajo tha se kishte pajtueshmëri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për takim, porse tash në Kosovë po afron një cikël i ri zgjedhjesh, çka sipas saj, e shtyn procesin.

“Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, ka thënë ajo para gazetarëve, para nisjes së takimit me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës.

Kallas megjithatë ka thënë se po punon me palët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash nga dialogu.

“Megjithatë, unë po punoj veçmas me të dyja palët, në mënyrë që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, ka thënë ajo.

E pyetur se çfarë pret nga takimi i sotëm, Kallas ka thënë se do të diskutojnë zgjerimin dhe atë se çfarë mund të bëj në më shumë që të ecin përpara me reformat.

“Po ashtu do të diskutojmë bashkëpunimin lidhur me përballjen ndaj kërcënimeve hibride, të cilat janë të pranishme edhe në Ballkanin Perëndimor. Kemi pasur përvoja dhe praktika të mira nga Moldavia. Tani po punojmë edhe me Armeninë. Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë të njëjtën gjë, pasi edhe ato po i shohin sulmet kundër demokracive të tyre. Po diskutojmë gjithashtu për sigurinë dhe mbrojtjen, veçanërisht për partneritetin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me Malin e Zi, për shembull. Ajo që ne presim prej tyre është gjithashtu harmonizimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformat që duhet t’i zbatojnë”, ka thënë ajo.

Duke folur për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, ajo tha se dislokimi i trupave ndodh vazhdimisht në Evropë.

Sipas saj, kjo në fakt nuk është diçka e re.

“Mendoj se është e rëndësishme që trupat amerikane të qëndrojnë gjithashtu në Evropë, sepse ato mbrojnë interesat amerikane në Evropë, si dhe interesat evropiane. Ky është njoftimi që ka bërë Pentagoni. Dhe sigurisht, ka ende kohë për të parë se çfarë do të thotë kjo në praktikë”, ka thënë ajo.

Për situatën në Iran, Kallas ka thënë se e mbështesin një zgjidhje diplomatike dhe janë të angazhuar edhe me ato vende që ndërmjetësojnë mes palëve.

“ Gjithashtu jemi të angazhuar me vendet e Gjirit, sepse kemi të njëjtat shqetësime. Edhe nëse ka armëpushim, duhet të ketë edhe bisedime afatgjata për kërcënimet që Irani paraqet për rajonin. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çështjen bërthamore, ku ne në fakt kemi ofruar ekspertizën tonë, sepse kemi ekspertë që kanë negociuar marrëveshje bërthamore edhe më parëm, por edhe me kërcënime të tjera që Irani paraqet për fqinjët e tij; përfaqësuesit e tij në rajon, programin raketor, si dhe aktivitetet hibride dhe kibernetike në Evropë. Po diskutojmë gjithashtu që, kur të vijë ai moment, të jemi pjesë e arkitekturës së sigurisë në Gjirin Persik, sepse ne e shohim këtë rajon si pjesë të fqinjësisë sonë të menjëhershme. Ajo që ndodh atje ka ndikim të madh tek ne”, ka thënë ajo.

Ka potencuar se tani për tani fokusi është në ndalimin e luftës dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.

“Në këtë aspekt, sigurisht që amerikanët dhe Irani po negociojnë drejtpërdrejt mes vete. Ne vetëm mund t’i mbështesim, por nuk mund të marrim vendime në emër të tyre”, ka shtuar tutje ajo.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit